Në një kohë ku fëmijëria po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një hapësirë të kontrolluar nga ekrane, Jonathan Haidt në librin e tij ‘Brezi i ankthit’ ngre një pasqyrë të frikshme për plagët e padukshme të shoqërisë sonë.
Ky është një brez që, siç thotë botuesja Loreta Berhami në intervistën për Odeon, ‘është duke vuajtur’, sepse ankthi nuk është më një përjetim i përkohshëm, por një gjendje që shndërrohet në patologji.
Fëmijët e vegjël, në vend që të mësojnë përmes lojës natyrale, që është mënyra e parë e njohjes së jetës, gjenden shpesh të burgosur brenda botës digjitale.
Në këtë hapësirë virtuale, ata mbeten të braktisur, pa lirinë e të eksploruarit të botës reale.
Përdorimi i hershëm i telefonit, sipas Berhamit, sjell ankth, ndërsa rrjetet sociale të dizajnuara për të rritur varësinë veprojnë si një drogë moderne, me të njëjtin efekt mbi tru si lojërat e fatit.
Një brez i tërë, veçanërisht vajzat, bartin mbi supe një ankth më të madh se djemtë, i përfshirë mes presionit të imazhit dhe mungesës së hapësirave publike që dikur i ofronin frymëmarrje fëmijërisë.
‘Shkolla duhet të jetë pa telefona’ nënvizon Berhami, duke e parë këtë si një hap drejt kthimit të fëmijëve në botën e tyre të natyrshme, aty ku përjetimi, loja dhe marrëdhënia e drejtpërdrejtë me tjetrin formojnë themelet e jetës.
Në thelb, ky libër është një thirrje për ndërgjegjësim të kuptojmë se brezi që vjen nuk ka nevojë për më shumë ekrane, por për më shumë praninë tonë, jo për më shumë kontrolle teknologjike, por për më shumë liri njerëzore.
Dhe siç thotë vetë botuesja ‘jam e sigurt që do t’u bëjë mirë prindërve’, sepse sensibilizimi është arma e parë përballë një kohe që po prodhon ankth në vend të fëmijërisë.
© SYRI.net