Pogradeci po mirëpret edicionin e 15-të të Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë, ku kinemaja, tradita dhe kuzhina e rajonit shkrihen mrekullisht në një atmosferë festive. Festivali është një hapësirë ku e shkuara dhe e ardhmja e filmit takohen, ndërsa publiku ka mundësi të shijojë produksione të mira filmike.
SYRI TV
Qyteti turistik i Pogradecit ka hapur dyert për edicionin e 15-të të Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë, një prej aktiviteteve më të veçanta kulturore . Prej një dekade e gjysmë, ky festival bashkon kinemanë, artin, traditat dhe shijet ballkanike, duke e kthyer qytetin buzë liqenit në një qendër takimi për artistë, regjisorë, producentë dhe publikun e gjerë. Producentja Gerta Qurku shprehet se suksesi i festivalit lidhet me përzgjedhjen e filmave më të rinj që çdo vit vijnë nga vendet e Ballkanit.
Organizatori dhe regjisori Eno Milkani vëren se këtë vit dokumentarët kanë spikatur më shumë se herët e tjera. Sipas tij, ky zhanër po fiton terren sepse realizohet më lehtë, kërkon më pak financa dhe trajton tema të afërta me publikun.
Risia e këtij edicioni lidhet me inteligjencën artificiale. Për herë të parë, festivali ka rezervuar një ditë të plotë për AI-në, një seminar i posaçëm do të diskutojë se si teknologjia po ndikon në industrinë e filmit. Mbrëmja e së nesërmes do të sjellë një shfaqje muzikore ku ritmet tradicionale ballkanike do të ndërthuren me eksperimente duke krijuar një përzierje mes Balkan Rock, Balkan Jazz dhe tingujve modernë. Festivali nuk harron as trashëgiminë ku në program është përfshirë një film i vjetër shqiptar i restauruar, si kujtesë e rrënjëve të kinematografisë sonë. Ndërkohë, ceremonia e hapjes u shoqërua nga performanca e këngëtarit Niki Zaimi, i njohur për muzikën rock, i cili këtë herë solli tinguj shqiptarë.
Festivali i Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë është kthyer kështu në një traditë që jo vetëm promovon artin dhe kulturën, por edhe duke e kthyer Pogradecin si një destinacion turistik kulturor me peshë në hartën e Ballkanit.
© SYRI.net