Lajmi i fundit

LIVE- Kreu i PD, Sali Berisha konferencë me gazetarët

Letra e gjatë me shumë fjalë e Jane Austen-it për motrën Kasandra del në ankand

Letra e gjatë me shumë fjalë e Jane Austen-it për motrën Kasandra del në ankand

12:37, 12/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edhe pse Jane Austen është e njohur më së shumti për ironizimin e kapriçove të dashurisë romantike në romanet e saj, aty shfaqet edhe një tjetër lloj marrëdhënieje po aq e ndërlikuar dhe kuptimplotë, ajo mes vëllezërve e motrave.

Motrat, në veçanti, ndikojnë tek mendimet, opinionet dhe veprimet e shumë prej heroinave të Austen-it, duke vepruar si shoqe të ngushta apo si kundërshtare. Elinor Dashwood ka Marianne-n, "ndjeshmërinë" ndaj "arsyes" së saj; Elizabeth Bennet ka katër motra te "Krenari dhe paragjykim", secila me përvojë të ndryshme në fejesë dhe martesë; te "Bindja", Anne Elliot ka vanitozen Elizabeth dhe nervozen Mary.

Motra ishte një pjesë përcaktuese edhe e jetës së vetë Austen-it, siç e tregon një letër e gjatë e mbushur me biseda që ajo i shkroi motrës së saj më të madhe, Kasandrës, e cila pritet të arrijë deri në 400,000 dollarë në një ankand të Sotheby's në New York, në tetor.

Me gati tre vite diferencë në moshë, të dyja motrat ishin jashtëzakonisht të lidhura; aq shumë, saqë e ëma thoshte: "nëse koka e Kasandrës do të pritej, Jane do të linte të pritej edhe e saja."

Siç vëren Kalika Sands, drejtoreshë e librave dhe dorëshkrimeve te Sotheby's New York, ato kishin një "lidhje emocionalisht të jashtëzakonshme" si edhe një "lidhje intelektuale shumë të fortë."

Image

Kjo marrëdhënie del qartë në letrat që i shkruanin njëra-tjetrës. Në këtë letër, Austen tregon me shpejtësi përditshmërinë e saj në Bath, thashethemet për fqinjët dhe të afërmit, ndan lajme për miqtë, tall paksa shëndetin e dobët të Kasandrës dhe shpreh keqardhje për statusin e rënë shoqëror të familjes.

Ajo u shkrua rreth tre muaj pas vdekjes së babait të Austen-it, tha Sands për CNN-in, duke cituar një pjesë që tregon rrethin e ndryshuar shoqëror ku lëvizte familja dhe "sa e rrënuar ndihej Jane Austen."

"Shtatë vjet e katër muaj më parë, shkuam në të njëjtën arenë hipizmi për të parë shfaqjen e zonjushës Lefroy," shkruante Austen. "Çfarë grupi tjetër njerëzish kemi tani rreth nesh, por shtatë vjet, mendoj, janë të mjaftueshme për të ndryshuar çdo pore të lëkurës dhe çdo ndjenjë të mendjes së njeriut."

Asnjëra prej motrave Austen nuk u martua ndonjëherë dhe ato mbetën besimtaret më të afërta të njëra-tjetrës deri në vdekjen e Jane-it në moshën 41-vjeçare. "Nuk kisha asnjë mendim të fshehur prej saj," shkroi Kasandra dy ditë pas vdekjes të së motrës.

Këto lidhje të ngushta motërore shfaqen herë pas here edhe në romanet e Austen-it, të cilat, "në kaq shumë mënyra, flasin për ekonominë dhe mbijetesën," tha Sands. "Dhe kur mendon për këto marrëdhënie me motrat dhe gratë e tjera, ato janë në të vërtetë aleatet e tua."

Marrëdhënia e Jane-it dhe Kasandrës madje formëson edhe mënyrën se si e kuptojmë Austen-in sot. Ishte Kasandra ajo që pikturoi të vetmin portret të mbijetuar të saj gjatë jetës dhe ajo që dogji shumë prej letrave të motrës pas vdekjes. Vetëm 161 nga rreth 3000 letra që Austen shkroi kanë mbijetuar, tha Sands.

Edhe pse kjo e ka bërë Austen-in një figurë historike disi të paqartë, "nëse e shohim në një plan më të gjerë, ky është në fakt një gjest jashtëzakonisht bujar i një motre që mbron trashëgiminë," tha Sands.

Image

Nuk kanë mbijetuar letra nga periudha tre ose katër vjet para kësaj letre, tha Sands, duke vënë në dukje se kjo ishte një kohë kur Austen nuk ishte shumë produktive, vuante nga zhvendosja e familjes në Bath dhe ndoshta ishte në depresion, siç kanë hamendësuar disa kritikë.

"Nëse është kështu, mund të kuptojmë pse Kasandra do të kishte shkatërruar disa prej provave për këtë," tha Sands. "A duam ne që letrat, email-et apo mesazhet që zbulojnë kohët më të vështira të jetës sonë të mbeten për konsum publik?"

Objekte të tjera që lidhen me Austen-in do të përfshihen gjithashtu në ankandin online që do të mbahet mes 1 dhe 15 tetorit, duke e çuar vlerën e përllogaritur të përgjithshme të lotëve deri në 1.3 milionë dollarë.

Një kopje e Emma që Austen i dërgoi romancieres irlandeze Maria Edgeworth në vitin 1816, vepra e vetme e njohur që Austen i ka dërguar një shkrimtareje tjetër, pritet të shitet deri në 350,000 dollarë. Ndërkohë, një poezi e shkurtër që Austen shkroi në vitin 1811, duke satirizuar praktikat mjekësore të kohës, mund të arrijë deri në 150,000 dollarë. /CNN - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco