Në një rrëfim të thellë në emisionin ‘Odeon’ në SYRI TV, balerina e njohur Adela Muçollari ndalet te një nga iniciativat më domethënëse të saj: Akademia Verore ‘Zanafilla’. E konceptuar si një platformë për rritje artistike, kjo akademi vjen si një reagim ndaj nevojës për të vendosur në qendër meritokracinë, duke krijuar hapësira reale për talentet e rinj të baletit në Shqipëri dhe më gjerë.
E pyetur për idenë që qëndron pas këtij projekti, Adela Muçollari u shpreh:
‘Zanafilla’ mendoj që lindi si nevojë për vetë faktin për një karrierë shumë të madhe artistike që kam brenda vendit por dhe jashtë vendit. Mendova që kishte ardhur momenti dhe ka ardhur koha e duhur që unë të krijoja Zanafillën. Do thoni ju pse. Më pëlqen të sjell vërtetë elitarë të baletit. Të sjell emrat më të mirë të baletit ndërkombëtar dhe ata shqiptar. Ne themi gjithmonë emrat më të mirë ndërkombëtarë, po jo janë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.’
Duke folur për lidhjen e saj të fortë me Shkollën e Baletit, Adela kujton se prej saj kanë dalë emra të njohur që kanë bërë karrierë në skenat më të mëdha evropiane:
‘Kjo shkollë që është Zanafilla e kësaj gjësë ka nxjerrë emrat më të mëdhenj. Ne kemi dalë nga kjo shkollë, Eno ka dalë nga kjo shkollë, Ambeta ka dalë nga kjo shkollë, Kledi ka dalë nga kjo shkollë, pra jemi një sërë balerinësh që kemi pushtuar Europën. Dhe mendova që fillimi i kësaj gjësë do jetë fillimi i Zanafillës te shkolla e baletit, ku të gjithë t’i japim zë meritokracisë dhe pse jo të gjithë të provojnë.’
Ajo nënvizon se skena e ‘Zanfillës’ është e hapur për të gjithë, për nxënësit e shkollës së baletit, por edhe për artistët e rinj që duan të mësojnë, të rriten dhe të ëndërrojnë një të ardhme në skenën profesioniste.
‘Kjo skenë është e hapur për të gjithë artistët, jo vetëm për shkollën e baletit por dhe për artistët e rinj që aspirojnë për t’u bërë solistë, të cilët aspirojnë për t’u ngjitur në karrierën e tyre, të trajnohen, të mësohen dhe në fund fare, ne do ta finalizojmë me mbrëmjen gala në Teatrin e Operas dhe Baletit, në të cilin të gjithë të rinjtë do të interpretojnë, por do të interpretojmë edhe ne.’
E përmbyll me një filozofi që e udhëheq në çdo hap të karrierës:
‘Kam gjithmonë një shprehje që e them: Nëse ti preferon të jesh më i miri, duhet ta tregosh mes më të mirëve dhe ky është momenti kur ti je mes më të mirëve dhe tregoje se i mirë ti je.’
Me Akademinë ‘Zanafilla’, Adela Muçollari nuk ndan vetëm përvojën e saj ndërkombëtare, por krijon një terren për edukimin artistik, duke hapur skena për brezat që vijnë. Një nismë që ngjizet me pasionin, por edhe me një vizion të qartë, t’i jepet vendi që i takon talentit dhe përgatitjes, si bazë për artin e vërtetë.
© SYRI.net