Në brigjet e Liqenit të Ohrit është zbuluar vendbanimi më i vjetër i ndërtuar në një liqen europian, ku arkeologët kanë gjetur prova të një komuniteti të organizuar gjuetie dhe bujqësie deri në 8000 vite të vjetër. Puna për eksplorimin e të gjithë vendbanimit vazhdon, ndërsa mendohet se ky komunitet ka ndihmuar në përhapjen e bujqësisë e blegtorisë në Europë.
Syri TV
Arkeologët kanë zbuluar në brigjet e Liqenit të Ohrit vendbanimin më të vjetër njerëzor të ndërtuar në një liqen europian, duke gjetur prova të një komuniteti të organizuar gjuetie dhe bujqësor që ka jetuar deri në 8,000 vjet më parë.
Ekipi i arkeologëve nga Zvicra dhe Shqipëria, kalon orë të tëra çdo ditë rreth tre metra nën ujë, duke nxjerrë me kujdes shtylla druri që mbështesnin shtëpitë. Ata gjithashtu po mbledhin eshtra të kafshëve shtëpiake dhe të egra, objekte bakri dhe qeramikë, me gdhendje të detajuara.
Albert Hafner, nga Universiteti i Bernës deklaroi për Reuters se vendbanime të ngjashme janë gjetur në rajonet alpine dhe mesdhetare, por vendbanimet në fshatin Lin janë gjysmë mijëvjeçari më të vjetra, duke datuar midis 6000 dhe 8000 vjet më parë.
"Meqenëse është nën ujë, materiali organik është i ruajtur mirë dhe kjo na lejon të zbulojmë se çfarë kanë ngrënë këta njerëz, çfarë kanë mbjellë", tha Hafner. Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi po ashtu deklaroi për Reuters se mund të duhen dekada për të eksploruar plotësisht zonën.
Studime të shumta tregojnë se Liqeni i Ohrit, është liqeni më i vjetër në Evropë, mbi një milion vite i vjetër.
Mosha e gjetjeve përcaktohet nëpërmjet datimit me radiokarbon dhe dendrokronologjisë, e cila mat unazat vjetore të rritjes në pemë. Më shumë se një mijë mostra druri janë mbledhur nga vendi, i cili mund të ketë strehuar disa qindra njerëz.
Besohet se mbulon rreth gjashtë hektarë, por deri më tani, vetëm rreth 1% është gërmuar pas gjashtë vitesh pune.
Arkeologët që punojnë në Liqenin e Ohrit thonë se zbulimet e tyre dëshmojnë se njerëzit që jetonin në këtë vendbanim ndihmuan në përhapjen e bujqësisë dhe blegtorisë në pjesë të tjera të Europës.
© SYRI.net