Akademia Verore “Zanafilla”, e themeluar nga Adela Muçollari, bashkon në Tiranë emra të mëdhenj të baletit botëror, si Pierpaolo Ciacciulli nga “La Scala”, për t’u dhënë nxënësve shqiptarë dhe të huaj një përvojë unike profesionale. Aktiviteti përmbyllet më 19 korrik me një koncert në skenën e Operas, ku do të ngjiten yjet dhe të rinjtë së bashku.
Në Tiranë është hapur Akademia Verore “Zanafilla”, një nismë njëmujore e cila sjell për herë të parë në Shqipëri një format trajnimi me standarde ndërkombëtare në artin e baletit. Nën drejtimin e balerinës së njohur Adela Muçollari, kjo akademi që po kryen aktivitetin në shkollën e Baletit bashkon figura të shquara të baletit botëror me nxënës nga Shqipëria, rajoni dhe Franca. Qëllimi i “Zanafilla”-s është t’u ofrojë të rinjve përvojë intensive pune, udhëheqje nga profesionistë të skenës dhe një përgatitje serioze drejt hapave të mëdha artistikë.
Adela Muçollari, themeluese e Akademisë, e cilëson këtë projekt si një investim në të ardhmen e baletit shqiptar dhe një urë lidhëse mes talentit vendas dhe skenës ndërkombëtare.
Mes emrave të rëndësishëm që janë bërë pjesë e këtij rrugëtimi, spikat Pierpaolo Ciacciulli, balerin i trupës së famshme të Teatrit “La Scala” në Milano. Ai ndan emocionet e tij për eksperiencën në Shqipëri dhe punën me nxënësit:
Ka qenë një ëndërr që të vija në këtë shkollë historike. Është e bukur të këmbesh kulturalisht eksperiencë. Po i trajnojmë nxënësit këto ditë. Disiplina që kanë nxënësit tregon se vijnë nga një shkollë serioze. Disiplina është e rëndësishme sepse me të kontrollon trupin dhe kjo është e vështirë. Me këtë akademi hapen dyert që nxënësit të vijnë në Itali, të studiojnë apo të bëhen pjesë e spektakleve. Duken shumë të talentuar dhe për këtë jam i lumtur.
Nxënësit e Shkollës së Baletit shprehin emocionet e tyre për pjesëmarrjen në këtë akademi artistike.
Ndërsa balerini Anxhelo Muçollari ndan përvojën e të punuarit me të rinjtë, si një mundësi rritjeje reciproke edhe për koreografët që japin, edhe për nxënësit që përvetësojnë.
Kulmi i akademisë do të jetë koncerti përmbyllës më 19 Korrik, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku përkrah yjeve të baletit botëror do të performojnë edhe nxënësit për ta, një mundësi e rrallë për të shijuar skenën profesionale dhe për të hedhur hapin e parë drejt një karriere ndërkombëtare.
© SYRI.net