Policia alarmoi SPAK për bossët e kokainës, paratë në lingota, fuçi dhe të murosura. Si u krijua 'Perandoria Aliu'

Policia alarmoi SPAK për bossët e kokainës, paratë në lingota, fuçi dhe të murosura. Si u krijua 'Perandoria Aliu'

16:05, 17/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Më 8 maj të vitit 2020, Prokuroria e Posaçme regjistroi një procedim penal,  që pas 6 vitesh do të zbulonte se pas 10 personazheve me peshë ndërkombëtare në trafikun e drogës, qëndronin përgjegjësit e 50 tonëve të kokainës dhe pronarët de fakto  të 491 pasurive me vlerë 150 milionë euro. 

Policia do të referonte se Salvatore Aliu qëndronte në krye të grupit ku në përbërje të tij ishin lidhje familjare të tij dhe shtetas të tjerë si Eldi Dizdari apo Dritan Gjika. 

Salvatore Aliu identifikohet nga policia e shtetit si drejtues dhe si personi kyç në rolin e furnizuesit/siguruesit, organizatorit dhe financuesit të ngarkesave me kokainë. Sipas referimit, Isa Aliu vëllai i Salvatores bënte të mundur pastrimin e parave, nëpërmjet ngritjes së bizneseve, siç është rrjeti i supermarketeve "Road House" në qytetin e Elbasanit. 

SPAK hyri në një tjetër fazë të hetimit duke i ardhur në ndihmë përgjigjet e letër porosive mbi  komunikimet e kryera nga kodet Sky ECC.

Më konkretisht zbulohet se Aliu njihej edhe me emrin Shpëtim Aliu apo nofkat si "Daja", "Qero", "Qerosi" "Viktor", Albo Pelon". Ai shërbente edhe si një siguri për kalimin e kokainës në mënurë të sigurt nga portet kryesore të Europës. Ndërkohë që partnerët e tij bënin në këmbim pagesa cash të rregullta tek Aliu apo lidhje te tij familjare, e veçanërisht tek vëllai i tij Isai, rezident në Shqipëri. Ky i fundit sipas burimeve pranë SPAK ka qenë përgjegjës për të ideuar një skemë të mirëfilltë pastrimi për llogari të vëllait të tij. 

Isa Aliu e njofton rregullisht vëllanë tij, për shumat e parave të dorëzuara nga shtetas të ndryshëm dhe mban të shënuara llogaritë e tyre ku vetëm për periudhën Gusht - Nëntor 2020, ka marrë minimalisht në Shqipëri mbi 30 milion euro cash

Në datën 30.08.2020, Isa Aliu informon Salvatoren se ka gjendje 6 milion euro cash. Në datën 15.09.2020 e informon se ka 9 milion e 800 mijë euro. Në datën 13.09.2020, Salvatore i konfirmon Isait, se në vijim do të marrë edhe 20 milion euro të tjera. Në datën 16.09.2020 Isa Aliu i dërgon me foto të gjitha shënimet e tij për dorëzimet e lekëve nga lidhjet e Salvatore Aliut.

Safvatore dhe Isa Aliu identifikohen të diskutojnë edhe për të lehtësuar disponimin e parave cash, ku ndër të tjera mendojnë të blejnë lingota ari, ‘të cilave nuk u ikën vlera për një kohë të gjatë’. Në vijimësi, Salvatore Aliu e orienton vëllain e tij për mënyra të ndryshme të fshehjes së parave, duke i groposur në fuçi 50 litrash, apo edhe duke blerë apartamente të posaçme, me qëllim për ti fshehur në brëndësi të ndarjeve të ambienteve që mund të bëhen nëpër apartamente. 

Salvatore Aliu është i shqetësuar për fshehjen e mirë të parave cash, duke i treguar të vëllait gë duhet të jenë të kujdesshëm, pasi mund t'u ndodhë ndonjë surprizë edhe nga autoritetet shtetërore, duke qenë se tani "janë në nivele të rënda". 

Në datën 20.09.2020, vëllezërit Aliu, diskutojnë për ndërrimin e një makine me një sipërfaqe toke, por që ndërrimi do jetë fiktiv, vetëm për letra, pasi makinën do ta mbajnë ato përsëri. Isa Aliu thotë SPAK, është ideatori dhe ndërmarrësi i riskut të investimit në sektorin e ndërtimit, duke tentuar në fillim të ligjërojë një sasi parash nëpërmjet çeljes së lokaleve dhe deklarimit të faturave fiktive, e më pas nisjes së investimeve në sektorin e ndërtimit. 

Më datë 03.11.2020, Salvatore Aliu njofton vëllain e tij Isa Aliu mbi daljen me sukses të tre punëve dhe i tregon se vetëm me këto tre punë ka patur një fitim prej 15 milion eurosh, duke treguar në këtë rast fuqinë dhe aksesin e jashtëzakonshëm që ka Salvatore Aliu në trafik ndërkombëtar të kokainës. 

Mësohet se me paratë e trafikut të kokainës, Salvatore e Isa Aliu ideuan e krijuan një skemë të mirëfilltë pastrimi parash në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, duke investuar miliona euro kryesisht në ndërtimin e komplekseve turistike, apo edhe në përftimin e kontratave publike si nënkotraktor. 

Isa Aliu ka shfrytëzuar të gjithë njerëzit, mjetet e metodat që ka patur në dispozicion, rrethin shoqëror, banka e noter me dhe pa dijeninë e tyre, për të ngritur infrastrukturë ndërtimi që qarkullon miliona euro. 

Pika kyçe në procesin e ndërlikuar të pastrimit të parave është kompania  Aliu “Road House" shpk, regjistruar më datë 11.08.2008 nga Isa Aliu e cila është  zotëruar ligjërisht prej tij. 

Për gjatë viteve 2008-2020, kjo kompani ka deklaruar zyrtarisht në bilancet e saj, një humbje totale prej 17.691.063 lekësh. 

Prej vitit 2021, kompania “Aliu Road House" sh.p.k, rezulton se ka zgjeruar aktivitetin e saj prej në sektorin e ndërtimit në vendin tonë, duke deklaruar në bilancin e vitit 2021 një fitim prej 109.523.303 lekësh. 

Sipas burime pranë organit hetues, ngrihen dyshime se zgjerimi i aktivitetit në këtë sektor, u bë menjëherë pas ardhjes në Dhjetor 2020 në vendin tonë të shtetasit Salvatore Aliu, dhe ka gjasë që në atë periudhë vendosi të fillonte pastrimin e parave në Shqipëri, duke krijuar pozita të qëndrueshme në tregun e kokainës në Ekuador. 

Në vitin 2021 rezulton se i hetuari Isa Aliu ka hapur në zonën e Romanatit në Durrës një pikë prodhimi inertesh dhe një "beach -bar" dhe rezulton që të ketë një rritje të biznesit me qidnra miliona lekë

Pika e prodhimit të inerteve do ti mundësonte  Aliut që të mbyllte rrethin e qarkullimit të parave në lidhje me investimet e tij në ndërtim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco