Forcat e Guardia di Finanza në Vicenza të Italisë kanë goditur një rrjet të dyshuar të trafikut të lëndëve narkotike, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme droge dhe duke vënë në pranga dy persona.
Operacioni është zhvilluar në afërsi të qytetit Recoaro Terme dhe ka çuar në sekuestrimin e 11.4 kilogramëve marijuanë, si dhe një sasie kokaine dhe parash cash, të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Në pranga kanë rënë një shtetas shqiptar 25-vjeçar dhe një shtetas italian 65-vjeçar, me banim në provincën e Vicenzës. Të dy janë arrestuar nga Guardia di Finanza gjatë një shkëmbimi të dyshuar droge.
Sipas mediave italiane, gjithçka ka nisur gjatë një patrullimi rutinë në mbrëmje, kur efektivët kanë vënë re një burrë 65-vjeçar duke u futur në automjetin e drejtuar nga shqiptari, i cili ishte i parkuar pranë zonës së Recoaro Terme. I moshuari mbante në dorë një shumë të konsiderueshme parash, çka ka ngjallur dyshimet e policisë.
Menjëherë pas kësaj, forcat e rendit kanë ndërhyrë duke kryer kontroll të personave dhe automjetit. Brenda makinës janë gjetur 10 pako me marijuanë, me një peshë totale prej 11.4 kilogramësh, të fshehura në brendësi të saj.
Kontrollet e mëtejshme kanë zbuluar gjithashtu 57.1 gramë kokainë dhe 5,500 euro cash në posedim të shtetasit italian, të cilat janë sekuestruar së bashku me lëndën narkotike.
Të dy të arrestuarit akuzohen për trafik droge dhe janë dërguar në burgun e Vicenzës, ku pritet të përballen me shqyrtimin gjyqësor.
© SYRI.net