Vrasja e policit/ Bushkolaj: Dështuan të gjitha instancat ligjzbatuese në Korçë, operacioni mund të jetë dekonspiruar

Vrasja e policit/ Bushkolaj: Dështuan të gjitha instancat ligjzbatuese në Korçë, operacioni mund të jetë dekonspiruar

15:26, 05/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ngjarja e rëndë me vrasjen e policit Enea Mekolli në Lozhan të Maliqit dhe plagosjes së kolegut të tij nga Edison Adri nga ish komandoja Violand Braçellari, nxjer në pah kalbëzimin e thellë dhe lidhjet e errëta mes strukturave drejtuese dhe krimit të organizuar.

I ftuar në edicionin e mesditës në Syri Tv nën moderimin e Arnold Kariqi, redaktori i Syri Tv, Elkier Bushkolaj thotë se vrasja e efektivit nuk është thjesht një incident në krye të detyrës, por pasqyra e një sistemi ku policët e thjeshtë përballen me plumbat, ndërsa shefat e tyre paguhen nga narkotrafiku.

Sipas tij, ngjarja ka nxjerrë në dritë një seri dështimesh zinxhir të Drejtorisë së Policisë Korçë, ku në mënyrë të pashpjegueshme, operacioni i arrestimit u krye nga efektivë të rinj të forcave "Shqiponja" dhe atyre lokale, pa kërkuar ndërhyrjen e njësisë elitë, RENEA, e cila është e trajnuar posaçërisht për raste të tilla, ndërsa ekziston mundësia e dekonspirimit të operacionit.

Përtej së vërtetës, ne nga kjo studio së pari shprehim ngushëllime të familjes Makolli dhe i urojmë shërim të shpejtë efektivit të plagosur. E vërteta është që, të paktën përgjatë këtyre 30 e pesë viteve për të cilat unë mundem të flas, Policia e Shtetit është e vetmja strukturë ligjzbatuese që po vijon t'i japë dëshmorë shtetit shqiptar, rendit dhe sigurisë. Ka një paradoks të madh në këtë histori, pasi në një kohë kur shefat e Policisë së Shtetit dalin të gjithë të inkriminuar në dosjet e Sky ECC, janë ata policët e thjeshtë me atë pagën e ulët në raport me gjithë kolegët e tyre në rajon, që po bien pre e pritave të krimit të organizuar. Ndërkohë, për të mbetur tek ngjarja konkrete, ne duhet të kemi parasysh që duhet të ndalemi fillimisht tek profili i vrasësit, një person me rrezikshmëri shumë të lartë. F

Fakti që aty kanë dështuar katër operacione të RENEA-s, dhe kur flasim për RENEA-n po flasim për institucionin elitë të Policisë së Shtetit për kapjen e tij, kjo tregon që kemi të bëjmë me një person shumë të rrezikshëm. Për fat të keq, koha tregoi që policia e Korçës nuk ka zënë mend nga ngjarjet e shkuara të ngjashme. Kemi pasur në Lezhë, po themi para 8 vitesh, një ngjarje të ngjashme ku mbeti i vrarë një shofer furgoni i FNSH-së, gjatë kohës që kishin rrethuar një banesë ku një person, i cili për hir të së vërtetës kishte dhe probleme të shëndetit mendor, po qëllonte me armë drejt policisë së Lezhës dhe jemi përballë një skenari të ngjashëm.

Çfarë ndodh? Policia e Korçës mesa duket nuk ka kërkuar ndihmën e RENEA-s që është reparti më i specializuar për ndalimin dhe neutralizimin e personave të tillë me rrezikshmëri të lartë. Po flasim për një person që ka qenë në strukturat e armatosura. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon që ka njohuri të jashtëzakonshme në përdorimin e armëve. Fakti që aty u gjet kallashnikov, çifte, pushkë, radio policie, tregon qartë që kemi të bëjmë me një njeri të rrezikshëm. Është po aq i rrezikshëm sa ai, sa njëri prej atyre dy të rinjve që ishin në atë sterenë në fshatin e Rrogozhinës, u kujtohet në fusharë, se ne e kemi trajtuar në këtë studio po themi pak muaj më parë. Tani këtu ka disa gjëra që nuk përputhen.

Zoti Hita tha që ishin 40 efektivë që kanë marrë pjesë në këtë operacion, pavarësisht se tha nuk kishte informacione konkrete në raporte, nuk ishte në dijeni për operacionin që do të kryente drejtoria e Policisë së Korçës, kur ndërkohë familjarët e xhaxhait të tij, konkretisht xhaxhai i Enea Mekollit, thotë që kanë qenë dy grupe me nga gjashtë policë të forcave Shqiponja, që përgjithësisht janë efektivë të rinj policie. Dhe kjo është një sqarim që do të duhet të bëhet nga autoritetet. Pra, sa kanë qenë? Do të duhet të bëhet e ditur edhe në raport me orarin, pasi ka një protokoll të qartë për orarin kur duhet të ndërhyhet, pasi është e nevojshme që të shmangen oraret e vona të natës për shkak që policët të kenë mundësi që të kenë fushëpamje dhe që të njohin njëri-tjetrin, për të evituar çdo gabim të mundshëm. Tani, është një element tjetër që do të duhet të theksohet. Ky njeri ishte dënuar në 2017-ën për kultivim kanabisi.

Fakti që kishte 9 vite i lirë, kur ndërkohë kishte përfunduar tek organet ligjzbatuese dhe për çështje të tjera dhe për konflikte të tjera, ku së fundmi siç raportohet ishte denoncuar dhe nga një bari, të cilin e kishte marrë për të punuar në stan dhe nuk i kishte dhënë pagesën. Kjo tregon qartë një çedim të të gjitha hallkave të policisë së shtetit. Ai specialisti i zonës, OPGJ-ja, informatori i SHISH-it, ore ku janë këta njerëz? Nuk ka të bëjë me të fortin e zonës, ne nuk po flasim për një baron të narkotrafikut që lëviz me armatë. Ne po flasim për një njeri që jetonte i veçuar aty shpesh, shkonin familjarët e tij, ishte një njeri problematik në zonë, ishte një njeri që do të duhej të ishte pas hekurave tani që po flasim për kultivim kanabisi. Pra, ka dështuar të gjitha instancat ligjzbatuese në Korçë. Po nuk duhet ta shohim fajin vetëm në Korçë, duhet ta shohim fajin edhe këtu në Tiranë.

Se këtu ka një paradoks se ne kemi pesë ditë që shkojmë atje në protestë, janë partitë demokratike, ka katër-pesë muaj që ka organizuar protesta kombëtare, ne aty kemi dronë, aty kemi forcat antiterrorit, aty kemi forcat e SHISH-it, aty kemi dhe agjencive partnere. Ndërkohë që atje nuk patën një dron për këtë operacion. Që duhej. Pse? Se ne po flasim për një terren shumë të vështirë malor. Për ata që nuk e dinë, pra është Maliqi, pastaj nëse ti kalon atë terren malor ti kalon në malësitë e Gramshit dhe është e pamundur që policia aty të të kapi. Pra kanë shkuar krejt të papërgatitur. Të përdorja një term që s'do të doja ta përdor, si krushqit në dasmë. Po nuk shkohet kështu kur ke përballë element me rrezikshmëri të lartë të krimit të organizuar.

Drejtoria e policisë së Korçës njoftoi që nuk e ka njoftuar RENEA-n. Normalisht për profile të tilla është një repart i specializuar, është RENEA ku janë djemtë më elitarë të forcave të policisë së shtetit, janë realisht shumë të trajnuar dhe ne duhet ta pranojmë këtë. Ne e kemi parë që dhe në rrafshin ndërkombëtar kanë marrë disa çmime sa i përket përgatitjes së tyre dhe aftësive të tyre. Por këtu problemi nuk është te, problemi kryesor këtu është që ne kemi një kalbëzim në brendësi të policisë së shtetit. Ku e merrte ai zotëria këtë garanci që ishte i lirë?

Qartazi dyshimet çojnë që kishte një lidhje në atë postën e Maliqit apo në drejtorinë e policisë së Korçës. Se ka diçka, shumica prej efektivëve të policisë as nuk e kanë ditur se për cilin do të shkojnë ta arrestojnë, pra cili ishte objektivi. Ti do të thuash kjo është një praktikë normale për të evituar dekonspirimin, po problemi është që këtu dekonspirimi ka hyrë aq thellë saqë i bie që ti mos t'i japësh informacion 90% të njerëzve që marrin pjesë në operacion në terren. Pra dhe nuk duhet parë e shkëputur, ajo çfarë ndodhi në Maliq, me atë çfarë ndodhi në Mamurras, me atë çfarë ndodhi në Berat, ku një polic ishte në shërbim gjatë kohës që po shoqëronin një person u plagos. Nuk duhet parë e shkëputur me atë që ndodhi në Vlorë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco