Biznesmeni Pandeli Carapuli është paraqitur në SPAK këtë të premte, ndërsa po hetohet në kuadër të dosjes së ish zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Gjasat janë që Carapulit t’i komunikohet ndonjë akuzë, për sa kohë është thirrur në Prokurorinë e Posaçme së bashku me avokatin e tij, ndërsa la ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas afro 30 minutash.
I pyetur nga gazetarët mbi thirrjen e tij në SPAK, Carapuli dha këtë përgjigje: Isha për qejf...
Carapuli, doli nga hetimet e SPAK për Ballukun, i cili kishte në zotërim kompaninë ‘Eurocol’, përgjegjëse për ndërtimin e kompleksit ku ndodhej vila e Belinda Ballukut, e cila u vendos nën sekuestro preventive me vendim gjykate.
Nga hetimet e SPAK, rezultoi se për të fshehur vilën në Dhërmi si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.
Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit Igli Tare dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit Pandeli Carapuli.

© SYRI.net