Syri siguron pamje nga fshati Lozhan i Maliqit ku fshihej ish ushtaraku Violand Braçellari i dënuar për drogë, i cili mëngjesin e sotëm vrau efektivin e policisë së Korçës, Enea Mekolli 34 vjeç, e plagosi Edison Adrin, 36 vjeç.
Stani ku jetonte Braçellari ishte në një terren të vështirë, duhej të ecësh 40 minuta në këmbë.
Dyshohet se autori qëndronte gjithmonë i armatosur.
Ai kishte siguruar vendin me shumë qen, që asnjë njeri të mos afrohej pranë stanit dhe kur policia shkonte për ta arrestuar edhe më parë ikte e fshihej në pyll.
Operacioni
Policia njofton se rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor Edison Adri, 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.
© SYRI.net