Dosja hetimore e prokurorëve italian, zbulon brutaliteti, dhunën dhe fuqinë e grupeve kriminale shqiptare. Rasti konkret bën fjalë për operacionin e fundit mes Italisë dhe Shqipërisë ku u godit grupi kriminal i Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit. Dosja e Prokurorisë së Barit, ekspozon faktin që Kamberi për 100 euro, ishte i aftë të kërcënonte me armë në kokë një shtetas italian ose në këmbim që ta linte të jetonte, duhej ti shiste drogën.
SYRI TV
Drogë, dhunë, pastrim parash, luftë pëer territor e donimin dhe vrasje. Këtë zbërthen dosja hetimore italiane për grupin kriminal që goditën autoritetet e vendit fqinj me SPAK, ku një prej krerëve të tij shpërfaqet i dhunshëm dhe tepër i rrezikshëm. Bëhet fjalë për Igli Kamberin, që është nën akuzë për vrasjen e parukerit italian Francesco Diviesti, e gjithashtu drejtonte një grup të trafikut të kokainës e pastrimit të parave. Në telefononin e një bashkëpunëtori të tij italian, gjenden pamjet kur Kamberi qëllon me armë dhe video ka qarkulluar në bisedat përmes aplikacionit “Signal”.
Dario Distato, i proceduar për vrasjen e parukerit pasi gjatë një kontrolli në vendngjarje po atë ditë, iu gjet një numër i konsiderueshëm armësh, municionesh, narkotikësh dhe pajisjesh për paketimin e dozave në shtëpinë e tij. Ai dëshmon se kishte marrëveshje për ti ruajtur armët dhe drogën Kamberit në këmbim të një pagesë prej 550 eurosh në muaj teksa rrëfen se si është kërcënuar prej tij.
“Ishte pikërisht 31 dhjetori 2022. Ai më vuri thikën në fyt dhe tha: "Nëse nuk punon përsëri me mua, do të të vras. Kam bërë dhjetë vjet burg, kështu që mund të bëj lehtësisht edhe njëzet vjet të tjera." Me të drejtë u frikësova pak (...) Më i keqi është Igli Kamberj. I kam parë të vihen në provë, dhe nëse vendosin ta zhdukin dikë, e zhdukin, më besoni”
Deklarata të ngjashme, të cilat tregojnë natyrën e dhunshme të Igli Kamberit, si dhe disponueshmërinë e armëve, prirjen e theksuar për të kryer krime dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj aktiviteteve të trafikimit të drogës, madje edhe gjatë periudhës së arrestit shtëpiak, janë ato të bëra më 16 korrik 2022 nga Egidio Antonio Gasparello, një i skeduar nga Barletta, i cili raportoi se, në këmbim të një borxhi prej 100 euro që i kishte marrë Igli Kamberit për furnizimin me pesë doza kokaine, shqiptari i kishte drejtuar një armë në kokë.
DËSHMIA: “Ai më tregoi një armë që e kishte mbi tavolinë, shumë të vogël, të zezë dhe me një mbulesë kafe. I thashë Kamberit se nuk kisha paratë që i detyrohesha në atë kohë, por prapëseprapë, pasi mori armën, ai e mbajti atë në tëmthin tim të djathtë dhe më tha se donte paratë, domethënë shumën prej 100 eurosh, dhe më tha: 'Ose vish një kapuç dhe kryej grabitje ose fillo të shesësh drogën time'"
Ndërkohë këto janë pamjet e dhunimit brutal nga grupi i Igli Kamberit kundër Pietro Borraçinos. Më 3 mars 2025, bashkëpunëtori i Kamberit Antonio Lanotte ishte autori i rrahjes së dhunshme të Borraçinos, përgjegjës për një aksident me makinë ku përfshihej motra e tij Francesca Lanotte, pas të cilit Borraccino nuk u ndal dhe nuk ofroi ndihmë.
Sapo autoritetet ranë në gjurmët e grupit kriminal, nisi përgjimi, përfshirë edhe brenda shtëpive të tyre, dhe këto janë pamjet e banesës së Igli Kamberit, ku ishte në regjistrim çdo bisedë dhe shikohej çdo pamje nga kamerat e instaluara, që prokurorët italian, thanë se ishin vendimtare për të zbardhur aktivitetin kriminal.
Ndërsa kjo foto këtu, i përket momentit pak para vrasjes së parukerit, ku grupi kriminal bëhej gati për të arritur objektivin.
Ndonëse kamerat nuk e kapën Igli Kamberin në makinën e përdorur në krim, prokurorët italian thonë se provuan praninë e tij përmes përgjimit.
15 masa sigurie u miratuan në Shqipëri dhe Itali, për 11 shqiptarë dhe 4 të tjerë italianë, në mesin e të cilëve 4 gra që u lanë në masa më të buta sigurie, 1 “arrest shtëpie” dhe 3 “detyrim paraqitje”. Igli Kamberi u arrestua vitin e kaluar në Hungari pikërisht për llogari të drejtësisë italiane, ndërsa Ergys Kastrati, gjithashtu i rëndësishëm në grupin kriminal, u kap dy ditë më parë në Lundër të Tiranës, në një vilë private.
© SYRI.net