Debate në sallën e gjyqit, shtyhet seanca për dosjen ndaj Veliajt, gazetari jep detajet

11:31, 26/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Seanca gjyqësore në procesin penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortes së tij dhe disa të pandehurve të tjerë, është shtyrë sërish, pas problemeve procedurale dhe mungesës së disa mbrojtësve ligjorë.

Sipas raportimit të gazetarit të Syri TV, Fation Gjinaj, seanca e radhës është caktuar më 10 qershor në orën 11:30, ndërsa nga data 16 qershor procesi pritet të zhvillohet çdo të martë në orën 10:00.

Në seancën e sotme, Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë dhe u përfaqësua nga avokati i tij Plarent Ndreca. Fillimisht u lejua prania e kamerave, por më pas trupi gjykues, i kryesuar nga relatorja Elsa Ulliri, vendosi largimin e operatorëve mediatikë nga salla, duke argumentuar kufizime procedurale për regjistrimin e procesit.

Sipas raportimeve të gazetarit, gjatë seancës u zhvillua edhe një debat mes prokurorit të SPAK, Olsi Dado, dhe avokatit të mbrojtjes Plarent Ndreca. Prokuroria kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit, duke pretenduar se disa të pandehur po pengojnë zhvillimin normal të procesit, ndërsa mbrojtja e kundërshtoi këtë kërkesë, duke argumentuar se Veliaj përfaqësohet ligjërisht dhe nuk ka penguar gjykimin.

Po ashtu, u ngritën pretendime nga mbrojtja për 27 akte hetimore, të cilat sipas saj nuk janë vënë në dispozicion në formën e kërkuar procedurale, ndërsa prokuroria i kundërshtoi këto pretendime duke thënë se materialet e lejuara janë dorëzuar sipas vendimeve të gjykatës.

Gjykata ndërpreu debatin mes palëve, duke e konsideruar jashtë objektit të shqyrtimit në atë fazë, ndërsa për shkak të mungesës së disa avokatëve u vendos shtyrja e seancës.

Në proces, ku janë përfshirë rreth 20 të pandehur, shumica nuk janë të pranishëm fizikisht në sallë, por përfaqësohen nga mbrojtësit e tyre ligjorë.

Ndërkohë, mbetet në pritje vendimmarrja përfundimtare e gjykatave më të larta lidhur me masën e sigurisë ndaj Veliajt, pas zhvillimeve të fundit në Gjykatën Kushtetuese dhe çështjes së kthyer për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco