Autoritetet policore në Hania, Greqi po hetojnë një akuzë të rëndë për përdhunim të raportuar nga një turiste franceze 36-vjeçare, pas një nate argëtimi në një lokal në zonën Kantanos të Kretës.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, gjatë qëndrimit të gruas me pushime në ishull.
Sipas mediave lokale cretalive.gr, 36-vjeçarja kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli ndërsa po shoqërohej në një beach bar në zonë.
Më pas ajo ka pretenduar se ka pasur kontakt seksual me një 39-vjeçar shqiptar, punonjës i lokalit, por ka deklaruar se nuk ishte në gjendje të jepte pëlqim për shkak të gjendjes së saj, nën efektin e alkolit.
Policia ka arrestuar 39-vjeçarin, i cili në mbrojtjen e tij ka deklaruar se marrëdhënia ka ndodhur me pëlqimin e saj.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
© SYRI.net