Elton Qyno - Syri.net
Një klarinetist nga Ksamili, Klodian Mustafa, ka dalë para Gjykatës së Tiranës, ku është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi në mesnatën e 19 majit 2026, është arrestuar në kushtet e flagrancës nga forcat policore të Komisariatit Nr. 4 në Tiranë.
Në seancën e 21 majit, prokurori Leonard Filopati ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Klodian Mustafën, kërkesë e cila është pranuar nga gjyqtari i çështjes, Kujtim Vraniçi.
Mustafa kishte udhëtuar së bashku me bashkëjetuesen e tij, Kasandra Huda, nga Ksamili në drejtim të Tiranës, ku qëllimi i tyre ishte për të kryer një vizitë mjekësore.
Çifti udhëtonte me një makinë tip “Toyota Yaris” që rezulton të jetë në emër të personit J. Shkurti.
Por, siç thuhet në dosjen hetimore, ata janë ndaluar në mënyrë të befasishme nga policia e Tiranës, e cila prej orës 00:50 kishte marrë informacion në rrugë operative se Klodian Mustafa po udhëtonte drejt Tiranës me qëllim shitjen e dy armëve zjarri tip kallashnikov.
“...më 19 maj 2026, rreth orës 00:50, shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 4 kanë marrë informacion në rrugë operative se dy persona, që lëviznin me një automjet tip “Toyota Yaris”, ngjyrë e zezë, me targa AA154XR, në Unazën e Madhe, mbanin armë zjarri me vete. Nga ana e policisë është organizuar puna për verifikimin e këtij informacioni dhe rreth orës 01:10 të mesnatës është konstatuar një automjet tip “Toyota Yaris”, ngjyrë e zezë, me targa “AA154XR”, tek rrethrrotullimi i Urës së "Gjerosës", ku drejtues ishte Klodian Mustafa dhe pasagjere në sediljen e parë bashkëjetuesja e tij, Kasandra Huda...”-thuhet në dosjen hetimore.
Pas kontrollit të automjetit, në pjesën e pasme u konstatua një valixhe e zezë me mbishkrimin "QIXIANG", ku brenda saj ndodheshin dy sende metalike, të dyshuara armë zjarri automatike model 56, me ngjyrë të zezë.
Klodian Mustafa është arrestuar menjëherë, por ka refuzuar të japë shpjegime në lidhje me prezencën e dy armëve automatike dhe ku do t’i shiste ato.
Teknikisht, dy kallashët kanë qenë në gjendje të mirë pune, por pa fishekë brenda. Dyshimet e policisë flasin se armët do të shiteshin në zonën e Freskut në Tiranë.
Ndërkohë, sqarime ka dhënë bashkëjetuesja e tij, Kasandra Huda, e cila ka shpjeguar para policisë se:
”...punon në një lavanderi në Ksamil dhe pasi kishte përfunduar punën, ishte kthyer në banesë. Disa ditë më parë i kishte kërkuar Klodian Mustafës të shkonin në Tiranë për një vizitë mjekësore. Më datë 18 maj 2026, rreth orës 21:00, Klodiani i kishte thënë që të udhëtonin drejt Tiranës për të kaluar mbrëmjen dhe që të nesërmen ajo të paraqitej në klinikë për vizitën. Ajo ka deklaruar se, sapo kanë hyrë në Tiranë, pranë një mbikalimi janë ndaluar nga shërbimet e Policisë dhe janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 4. Sipas saj, vetëm pas mbërritjes në komisariat ka marrë dijeni për faktin se në bagazhin e automjetit ishin gjetur dy armë zjarri dhe se ishte ndjerë e habitur dhe e traumatizuar nga situata. Më tej, Kasandra Huda ka deklaruar se është person familjar dhe se punon rregullisht për të mbështetur ekonomikisht familjen. Ndërsa ajo ka treguar se Klodian Mustafa ushtron profesionin e klarinetistit në një grup muzikor dhe sipas dijenisë së saj, bashkëjetuesi nuk merret me veprimtari të jashtëligjshme...”.
Pas dhënies së shpjegimeve, Kasandra Huda është lënë e lirë, ndërsa bashkëjetuesi i saj u arrestua për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
© SYRI.net