I ftuar në studion e “Kafe Shqeto”, Agron Meraj, kryetar i shoqatës egjiptiane për Shqipërinë, denoncoi publikisht dhunën, diskriminimin dhe racizmin institucional nga efektivët e Komisariatit Nr. 4 në Tiranë ndaj anëtarëve të komunitetit egjiptian.
Meraj tregoi se policia ka hyrë me forcë në banesën e sekretares së përgjithshme të shoqatës pa paralajmërim, duke e shoqëruar më pas në komisariat bashkë me vajzën e saj dhe një foshnjë vetëm gjashtë muajshe.
Ai akuzoi efektivët për ofendime raciste, presione dhe trajtim çnjerëzor, ndërsa ngriti alarmin se raste të tilla janë kthyer në praktikë të përditshme ndaj komunitetit egjiptian në Shqipëri.
Sipas Merajt, njerëzit e këtij komuniteti jo vetëm diskriminohen dhe keqtrajtohen në komisariate, por përballen çdo ditë me dhunë, arrestime arbitrare dhe heshtje totale nga institucionet shtetërore, pavarësisht denoncimeve dhe kërkesave zyrtare drejtuar Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme.
Pjesë nga deklarata:
Kemi një denoncim për Komisariatin Nr. 4 të Tiranës. Kanë shkuar për kontroll te sekretarja ime e përgjithshme dhe kanë hyrë në shtëpi. Domethënë, ata kanë qenë si kanë qenë, mbase për veten e vet, mbase të zhveshur në shtëpi. Pa trokitur, pa paralajmërim, kanë hyrë forcërisht brenda në shtëpi. Ata kanë qenë të zhveshur dhe i kanë thënë: “Zonja, të lutem sa të vishemi”, por ata nuk e kanë lejuar. Kanë hyrë dhe kanë bërë reprezalje në shtëpinë e saj, duke e ofenduar edhe nga ngjyra.
Në këtë kohë i kanë marrë, i kanë çuar në Komisariatin Nr. 4 dhe kanë marrë vajzën e sekretares së përgjithshme, edhe bashkë me vajzën kanë marrë edhe sekretaren. Zotërinjtë e kanë marrë dhe i kanë thënë: “Hajde në makinë me ne”. E kanë futur në dhomat e izolimit. Edhe vajzën e sekretares së përgjithshme e kanë marrë me një fëmijë të vogël, gjashtë a shtatë muajsh, dhe e kanë çuar në komisariat. Si shoqërohet një nënë me fëmijë gjashtë a shtatë muajsh në komisariatet e Policisë së Shtetit shqiptar?
Nga dhomat e izolimit i kanë nxjerrë dhe i kanë pyetur: “Për çfarë arsye na keni marrë?”. “Ju kemi marrë se është vjedhur një biçikletë njëherë... apo një vrasje njëherë”, gjëra të stërholluara. U kanë treguar një foto: “A e njihni këtë zotërinë me biçikletë?”. Ato u kanë thënë: “Jo, nuk e njohim”. I kanë marrë telefonin, duke e kontrolluar, dhe i kanë thënë: “Ky numër, kush është?”. “Kryetari i shoqatës”. “Kush e ka atë të dashur?”. O zotëri, ne jemi në punë, ashtu siç është ai në punë.
Në këtë kohë, të nesërmen i kanë lëshuar. Të nesërmen më thërret në telefon një inspektor i policisë gjyqësore: “Me Agronin flasim? Urgjentisht hajde te Komisariati Nr. 4”. I thashë: “Të më merrni zvarrë? Apo talleni ju?”. Unë shkova atje. Kur shkova, një nga oficerët doli, u fut në një dhomë tjetër, e mori në telefon dhe tha: “Ka ardhur kryetari i shoqatës së egjiptianëve, ai mu rrizi”. Ua, bita. I shkova atje dhe thashë: “Kush është ‘mu rrizi’? Kush i ka dhënë të drejtën të më diskriminojë?”.
Jo, jo, këtë unë e quaj racizëm, diskriminim. Nuk është hera e parë, Flavio. Këto bëhen jo vetëm nga Policia e Shtetit. Këto bëhen në çdo lloj zyre të shtetit, bashki, ministri, kudo e bëjnë këtë diskriminim.
Aty nuk e kam bërë ende, por kemi bërë një kallëzim te AMP-ja. O Flavio, ata e bënë duke e ditur që unë isha kryetari i shoqatës për gjithë Shqipërinë. Kur më diskriminojnë mua drejtpërdrejt si kryetar, po komunitetin? Çdo lloj denoncimi që më vjen tregon se, kur i fusin nëpër komisariate, i rrahin, i keqtrajtojnë, i diskriminojnë.
Po, i kanë arrestuar kot më kot. Ata të komunitetit tonë mbledhin nëpër kazana, marrin kanaçe me të cilat jetojnë. Njërin e kapën sepse kishte gjetur një shkop gome, e kanë zvarritur dhe e kanë keqtrajtuar në komisariat. Për këtë kam bërë denoncim.
Po, po, është e vazhdueshme. Po e shfrytëzoj rastin direkt nga televizioni yt: kam kërkuar takime me krerët e Policisë së Shtetit, nga ministri e deri te drejtori i përgjithshëm. Kam një muaj e gjysmë që u kam bërë shkresa dhe nuk më kanë thirrur. As në faqen zyrtare nuk më kanë dhënë përgjigje. Kjo hyn në diskriminim; të paktën të na kthejnë përgjigje e të na thonë: “Jeni të diskriminuar dhe mos i bini më telefonit”.
© SYRI.net