Gjykata e Posaçme ka dënuar sot me 2 vite e 6 muaj burg burg Zef Malin dhe me 1 vit Jemine Çokun, pjesë e një dosje me zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë që akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Zef Mali për shkak të gjykimit të shkurtuar përfiton zbritjen e dënimit në 1 vit e 8 muaj dhe si dënim plotësues heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike, për 5 vjet. Për Çokun dënimi zbret në 8 muaj por gjykata vendosi ta përjashtojë nga vuajtja e dënimit.
Ata akuzohen se ndikuan pranë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, në procedurën e transferimit të një të dënuari, duke kërkuar një shumë prej 20 mijë eurosh. Në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës.
Sipas hetimeve, ata i kanë premtuar dhe siguruar të pandehurës Jemine Çoku se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, shtetasit shqiptar Kujtim Çeliku, i dënuar me burgim në Turqi për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit.
Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt’, thuhet në hetimet e konkluduara nga SPAK. Dosja është ndarë për të pandehurit e tjerë/ Raporton Fatjon Gjinaj
© SYRI.net