Caktohet seanca në Apel/ Protesta e parë pa të arrestuar... Por 5 qytetarë ndodhen ende në qeli prej 17 prillit

09:51, 09/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas 9 protestave kombëtare të thirrura nga opozita, për herë të parë lirohen pa vajtur në gjykatë të gjithë qytetarët e ndaluar nga policia. Në protestën 8 majit, u ndaluan disa shtetas, mes tyre 3 të mitur dhe 3 me kombësi të huaj, rrethanat në të cilat mbeten të paqarta por që pas verifikimeve u lanë të lirë.

Ndërkohë, që në protestën e 17 prillit të thirrur nga opozita, pati një numër të lartë të personave që u shoqëruan apo arrestuan. Para gjykatës së Tiranës më 20 prill dolën për tu njohur me masat 11 shtetas, 6 nga të cilët u lanë në detyrim paraqitje dhe 5 në arrest në burg.

Në burg vijojnë të jenë: Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvel Tocilla dhe Semi Bici. Mësohet se të hënën e ardhshme më 11 maj, në orën 09:15 mbahet seanca në Apelin me Juridiksion të Përgjithshëm të Tiranës, për shqyrtimin e ankimit të masës së sigurisë nga ana e tyre.

Në seancën e 20 prillit, avokatët kontestuan gjyqtarin e caktimit të masave Enkel Peza me pretendimin se ai dhe familjarët e tij kanë mbajtur funksione në strukturat lokale të Partisë Socialiste në Kavajë, por kërkesa e tyre u rrëzua.

Kjo ishte hera e parë që protestuesit lihen në arrest me burg pasi dalin para gjykatës për vlerësim të masave.

Protesta e 8 majit nisi dhe vijoj të ishte paqësore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku nga ana e protestuesve nuk pati asnjë incident, deri në momentin kur para Ministrisë së Brendshme policia nxori një kordon me autobote uji, efektiv të veshur rëndë me pajisje mbrojtëse dhe gaz lotsjellës duke penguar marshimin e qytetarëve nëpër bulevard. /Raportoi: Fatjon Gjinaj, gazetar i SYRI TV

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco