Finalizohet në Tiranë operacioni policor i koduar “Seeds”, në kuadër të goditjes së tentativave për kultivim dhe shitje të farave të cannabisit.
Gjatë aksionit, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin L. K., 66 vjeç, pasi në automjetin e tij u gjetën 1000 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative. Në zonën e Kthesës së Kamzës, policia lokalizoi dhe ndaloi automjetin që drejtohej nga 66-vjeçari, ku gjatë kontrollit u zbulua një qese me farat e dyshuara.
Në përfundim të veprimeve procedurale, farat e kanabisit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa i arrestuari do të përballet me akuzat përkatëse.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve.
© SYRI.net