Një bazë armatimi që dyshohet se furnizonte grupe kriminale është goditur nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Picalla”.
Operacioni u zhvillua pas sigurimit të informacioneve në rrugë operativo-ligjore, sipas të cilave në fshatin Picallë mbahej një arsenal armësh me qëllim shitjen tek grupe kriminale. Gjatë ndërhyrjes, efektivët identifikuan dhe goditën bazën e dyshuar, ku në banesën e shtetasit O. Q., u gjet një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh.
Nga kontrolli u sekuestruan 5 armë automatike, 1 pushkë, 3 pistoleta, 1 armë gjahu, një bajonetë, silenciator, si dhe uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë. Po ashtu, u gjetën rreth 900 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.
Në vijim të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasja M. H., 66 vjeçe, banuese në Tiranë, ndërsa u shpall në kërkim poseduesi i dyshuar i bazës së armatimit, shtetasi O. Q., 41 vjeç.
Policia bën me dije se armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net