Një person në kërkim për vepra të rënda penale është arrestuar këtë të shtunë nga Policia e Krujës, gjatë një operacioni të zhvilluar në zonën e Malësisë së Krujës, në Bruz Zall.
Në pranga është vënë shtetasi Imer Kameri, 54 vjeç, i cili rezultonte i shpallur në kërkim për disa vepra penale të rënda.
Sipas të dhënave zyrtare, në janar 2024 ai është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje e armëve”, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin A. A., i cili ka mbetur i plagosur rëndë.
Po ashtu, në gusht 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.
Gjithashtu, rezulton se në vitin 2012 është gjykuar për veprat penale “Mbajtje pa leje e armëve” dhe “Kanosje”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net