Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Produkti”, si rezultat i një hetimi të mirëorganizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë.
Gjatë operacionit janë vënë në pranga shtetasit G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir), si dhe A. B., 61 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur për motive të dobëta dy shtetas (babë e bir), me qëllim përfitimin e pasurisë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në aktivitetin tregtar të shtetasve G. B. dhe E. B., është konstatuar se ata prodhonin produkte ushqimore të pamiratuara nga autoritetet kompetente, si dhe në kushte që nuk plotësonin standardet higjeno-sanitare për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Në vijim të veprimeve procedurale, është bërë bllokimi i menjëhershëm i aktivitetit, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale etiketa dhe stampa për 8 produkte të ndryshme ushqimore, si dhe 3 aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”.
© SYRI.net