Nga Marco Aldighieri, IL GAZZETTINO
Më në fund u kap.
Një trafikant shqiptar droge ishte i bindur se i kishte shpëtuar drejtësisë italiane duke u fshehur në Spanjë, në qytetin e Barcelonës. Por bëri një gabim: i shiti sasi të mëdha kokaine një italiani për të rritur shpërndarjen e drogës në zonën e Alta Padovanas dhe karabinierët e Cittadella-s ranë në gjurmët e tij.
Enri Hardolli, 28 vjeç, në vitin 2022 u përfshi në hetime sepse DDA (Drejtoria Distriktuale Antimafia) e Triestes, së bashku me ‘Guardia di Finanza’ e Venecias, e regjistruan si të dyshuar pas sekuestrimit të një ngarkese prej katër tonësh kokaine. Pak më vonë, gjyqtari për hetimet paraprake lëshoi masë arresti me burg ndaj tij dhe i riu shqiptar u zhduk. Ose të paktën kështu mendonte ai.
Operacioni
Ndërkohë, karabinierët e Cittadella-s, të koordinuar nga prokurori Benedetto Roberti, shkatërruan një rrjet të madh shpërndarjeje kokaine në Alta Padovana. Në rrjetën e hetuesve përfundoi një italian, dhe gjatë hetimeve u zbulua se furnizuesi me shumicë ishte pikërisht Hardolli.
Italiani kishte shpërndarë kokainë kryesisht tek klientë italianë, mes tyre edhe profesionistë, përfshirë një arkitekte dhe bashkëshortin e saj. Hetuesit rindërtuan shpejt lëvizjet e shqiptarit dhe zbuluan se prindërit e tij jetonin në Mestre, ndërsa ai kishte banuar në Spinea.
Karabinierët pyetën babanë e 28-vjeçarit, një punëtor, nëse kishte kontakte me djalin, por ai gjithmonë e mohoi. Prandaj policia e ndoqi dhe zbuloi se ai udhëtonte në Spanjë me avion disa herë në muaj. Në këtë pikë, prokuroria kërkoi dhe mori një urdhër arresti evropian (MAE) për Hardollin, dhe në fillim të marsit, ‘Guardia Civil’ e arrestoi atë në Barcelonë.
Aktualisht, 28-vjeçari shqiptar ndodhet i burgosur në burgun e Montorio Veronese. Kontaktet e tij me italianin shpërndarës, sipas hetimeve, vazhduan deri në tetor 2023.
Hetimi në Trieste
Hetimi në Trieste largoi nga qarkullimi sasi të mëdha kokaine kolumbiane: droga nga Amerika e Jugut u transportua me një anije cargo deri në portin e Triestes. Në total, ‘Guardia di Finanza’ sekuestroi katër ton kokainë.
Trafiku ndërkombëtar u godit falë një ushtaraku nën mbulim, i cili i dorëzoi 300 kilogramë kokainë një bosi kolumbian më 17 maj 2021 në Trieste, për të mos ngjallur dyshime mbi “vendin e sigurt”. Nga sekuestrimet, 135 kilogramë u rikuperuan, ndërsa 150 kilogramë nuk u arrit të gjendeshin.
Mes emrave të përfshirë në trafikun e drogës doli edhe ai i Enri Hardollit. Ndërkohë, italiani i kapur nga karabinierët është marrë vesh tashmë me drejtësinë dhe ka pranuar dënimin e tij.
© SYRI.net