GJKKO ka dhënë pafajësi për deputetin demokrat Flamur Noka i akuzuar nga një punonjësi i burgut të Peqinit për shpifje. Noka denoncoi se ky burg ishte kthyer në një ndërmarrje të Suel Çelës dhe shtab të fushatës elektorale të Sara Milas. Avokatja e Nokës Eda Grimçi, tha pas vendimit, se u provua denoncimi i deputetit, pasi Mila doli më e votuara në Elbasan, ndërsa në këtë qytet po hetohet nga Prokuroria rasti I denoncuar.
Syri TV
Gjykata e Posaçme ka dhënë pafajësi për deputetin e Partisë Demokratike Flamur Noka, i kallëzuar për shpifje nga Gjergji Vishkuli një punonjës i burgut të Peqinit. Ky i fundit e akuzonte Sekretarin e përgjithshëm të PD lidhur me një denoncim që kishte bërë në rrjetet sociale ku akuzonte punonjësit e burgut se ishin angazhuar në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit në mbështetje të Partisë Socialiste. Deputeti demokrat nuk ishte i pranishëm në seancë por u përfaqësua nga avokatja Eda Grimçi. Kjo e fundit deklaroi se denoncimi i Nokës u faktua, dhe SPAK kërkoi pafajësi për demokratin, pasi kishte bërë një denoncim publik dhe jo shpifje.
Flamur Noka do të denonconte se Burgu i Peqinit ishte kthyer si një ndërmarrje e të shumëkërkuarit të drejtësisë Suel Çela dhe se ky i fundit e përdori burgun si një shtab zgjedhor të kandidates së PS-së, Sara Mila . Sipas Nokës, efektivët e burgut përmes presioneve për largime nga puna kërkonin votën për PS-në.
© SYRI.net