Detaje nga vrasja në Vlorë/ 63-vjeçari shkoi të sqarojë sherrin e të birit, u godit për vdekje me shkelma ...

09:53, 04/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e së premtes në Vlorë, ku humbi jetën 63-vjeçari Ismail Aliaj.

Sipas burimeve të sigurta nga Policia e Vlorës, ngjarja dyshohet se lidhet me një konflikt të ndodhur disa ditë më parë, që djali i viktimës, i cili gjithashtu mbeti i plagosur lehtë dhe mori ndihmë mjekësore në spital, kishte pasur me personin që më pas goditi të atin me grushte dhe shkelma, duke i shkaktuar vdekjen.

Burimet policore konfirmojnë se babë e bir, njëri prej të cilëve mbeti viktimë, kishin shkuar në rrugën “Gjergj Araniti” për të gjetur autorin e dyshuar dhe për të sqaruar konfliktin.

Në ato momente, autori ndodhej në automjet së bashku me familjen e tij, pasi sapo kishte nxjerrë djalin nga spitali. Viktima dhe djali i tij i janë afruar dhe fillimisht kanë debatuar me fjalë, por më pas situata ka degraduar në fyerje dhe sharje.

LEXO EDHE: VIDEO/ 63-vjeçari ndërron jetë në spital, s’u mbijetoi dot plagëve të marra pas konfliktit me disa persona

Meqenëse autori banonte pranë vendit të ngjarjes, në konflikt kanë ndërhyrë edhe dy shokë të tij. Në këtë moment ka nisur përplasja fizike mes palëve, ku janë përdorur grushte dhe shkelma.

Sipas të njëjtave burime, autori e ka goditur 63-vjeçarin Ismail Aliaj dy herë me grushte dhe një herë me shkelm. Si pasojë, viktima është rrëzuar në tokë dhe më pas ka humbur jetën.

Gjithashtu, konfirmohet se 63-vjeçari kishte pasur edhe probleme me zemrën dhe ishte operuar më herët, çka dyshohet se mund të ketë qenë një faktor shtesë që ndikoi në pasojat fatale.

Pas ngjarjes, autori së bashku me dy shokët e tij janë larguar me automjet nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë, përveç viktimës që u dërgua në spital por nuk arriti të mbijetonte, edhe djali i tij u transportua për ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sa i përket djegies së automjetit të viktimës rreth një muaj më parë, policia konfirmon se kjo ngjarje nuk ka lidhje me konfliktin që i mori jetën 63-vjeçarit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco