EMRI/ Kush është shqiptari i vrarë në Itali/ 29-vjeçari nga Lezha do të festonte ditëlindjen në prill

EMRI/ Kush është shqiptari i vrarë në Itali/ 29-vjeçari nga Lezha do të festonte ditëlindjen në prill

10:23, 21/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zbardhen detaje të reja për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Olmo, ku një i ri shqiptar u vra me armë zjarri gjatë mesnatës mes 20 dhe 21 marsit.

Mediat italiane shkruajnë se viktima është Gjergj Pergegaj, 29 vjeç, me origjinë nga Lezha, i cili jetonte në Frassineto, në bashkinë e Arezzos. Ai pritej të mbushte 30 vjeç më 19 prill.

Sipas autoriteteve italiane, Pergegaj u qëllua me katër plumba pistolete pranë një lokali, në rrethrrotullimin e Olmos, në fillim të rrugës “Via Romana”.

Për ngjarjen është arrestuar një 35-vjeçar shqiptar, i njohur i viktimës, banues në Rigutino. Ai ndodhet në paraburgim dhe akuzohet për vrasje me dashje, ndërsa pritet të japë dëshminë e tij përpara hetuesve.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur për motive xhelozie apo rivaliteti sentimental, por hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.

Hetuesit po verifikojnë nëse takimi mes autorit dhe viktimës ka qenë i planifikuar apo i rastësishëm, si dhe nëse kemi të bëjmë me një konflikt të çastit apo një krim të paramenduar.

Trupi i pajetë i 29-vjeçarit është transportuar në morgun e spitalit “San Donato”, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme mjeko-ligjore.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të hedhur dritë të plotë mbi këtë vrasje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco