Të shtëna me armë zjarri kanë terrorizuar banorët në Maliq si dhe kanë rrezikuar jetën e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Orman, një shtetas po qëllonte me armë zjarri, duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Shërbimet e policisë lokalizuan, neutralizuan dhe vunë në pranga shtetasin K. A., 40 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.
Në vendngjarje u sekuestruan arma e zjarrit tip kallashnikov dhe municion luftarak.
Gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, edhe shtetasi grek D. P., 48 vjeç, banues në Athinë, i cili ishte bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ai qëllonte me armë zjarri.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi grek kishte ardhur në banesën e 40-vjeçarit për të kërkuar flori me anë të aparatit metalkërkues, i cili dyshohet se ishte sjellë prej tij nga Greqia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net