GJKKO ka vendosur pushimin e akuzave ndaj 6 ish zyrtarëve të pandehur, për të cilën SPAK i akuzoi për shkelje në një tender me vlerë 2.2 miliardë lekë në ARRSH.
Vendimi përfshin Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj dhe Admir Pahumi, të cilët ishin të dyshuar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publikë”, të kryer në bashkëpunim.
Sipas GJKKO pushimi i akuzave u vendos për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.
Të pandehurit janë:
Arbër Troka
Miranda Shkurti
Nikollaq Mihali
Almir Hoxhaj
Erjon Zemanaj
Admir Pahumi
Nga hetimet e SPAK u konstatua se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërmarrë veprime që kanë cenuar rregullsinë e procedurës së tenderimit dhe kanë dëmtuar interesat ligjore të shtetit shqiptar.
Emrat e mësipërm u akuzuan në kuadër të procedimit që nisi për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë ku e pandehur ka qenë edhe ish-drejtoresha e ARRSH-së Sonila Qato.
Gazetari fatjon Gjinja shkruan se, "në korrik të 2025 Gjykata e Posaçme dënoi me 6 muaj burg ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, për shkelje të barazisë në tendera". "Dënimi i caktuar do të konvertohet në punë në komunitet, ku Qato do të duhet të kryejë 60 orë shërbim si dhe nuk do të mbajë poste drejtuese".
Fillimisht ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit që zbuloi shkeljet e referoi materialet. SPAK pretendoi se nga analizat e provave dhe të dhënave të grumbulluara, rezulton e provuar se gjatë kryerjes së procedurës së mësipërme të prokurimit, e zhvilluar nga ARRSH, të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë veprimesh në shkelje të procedurës, duke dëmtuar interesat ligjore të shtetit. Syri TV pyeti SPAK për vendimin e gjykatës ku tha se do të paraqes ankim në Apel.


© SYRI.net