Call Centerat mashtruese - Le Iene kthehen në Tiranë! 500 milion euro në muaj qarkullimi i parave cash

Call Centerat mashtruese - Le Iene kthehen në Tiranë! 500 milion euro në muaj qarkullimi i parave cash

08:55, 09/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi 

Call center mashtrues në pronësi të një ish-deputeti socialist dhe të vëllait të një prej njerëzve më të fuqishëm në Shqipëri, të mbrojtur nga policia dhe funksionarë të lartë të shtetit.

Investigimi i fundit i gazetarit Luigi Pelazza dhe ekipit të emisionit Le Iene ka zbuluar detaje tronditëse mbi call center-et mashtruese që operojnë në Tiranë. Sipas dëshmive të mbledhura nga emisioni, disa prej këtyre call center-eve janë në pronësi të një ish-deputeti të Partisë Socialiste, një person me ndikim dhe me burime të mëdha financiare.

Po sipas dëshmive, ato menaxhohen nga individë me ndikim të madh politik. Në emision u bë e ditur se punonjësit paguhen cash çdo muaj, zakonisht rreth datës 10. Për rreth 100 punonjës, paga totale mund të arrijë deri në 2 milionë euro për një call center. Kur merren në konsideratë të gjitha call center-et e këtij rrjeti, qarkullimi cash mund të arrijë deri në gjysmë miliardi euro në muaj, një shifër që sipas dëshmive krahasohet me fitimet e organizatave kriminale ndërkombëtare që merren me trafikun e kokainës.

Dëshmitarët e emisionit tregojnë se gjysma e call center-eve menaxhohet nga vëllai i një prej personave më të fuqishëm në Shqipëri, i cili ka lidhje "vëllazërore"  me Italinë. Sipas tyre, ai kontrollon një pjesë të madhe të aktivitetit pa përdorur emrin e tij, duke përdorur persona të tjerë për të fshehur lidhjet dhe ndikimin politik. Kjo strukturë e fshehtë, sipas dëshmive, garanton që aktivitetet mashtruese të vazhdojnë të operojnë dhe të mbrohen nga funksionarë të lartë të shtetit, ndërsa policia shpesh nuk ndërhyn edhe kur skema denoncohet.

Gazetari Luigi Pelazza dorëzoi një kallëzim pranë prokurorit italian antimafia Nicola Gratteri, si dhe ndërtoi një hartë të call center-eve në Tiranë, duke dokumentuar mënyrën se si funksionon ky biznes miliardash.

Pas arrestimeve të kryera disa javë më parë në një operacion policor, dëshmitarë të rinj kanë rrëfyer për aktivitetin e call center-eve mashtruese në Shqipëri dhe kanë dhënë detaje mbi personat që menaxhojnë biznesin dhe lidhjet e tyre me individë me ndikim të lartë që mundësojnë funksionimin e kësaj skeme.

Hetimi tregon se këto call center-e operojnë me një strukturë të mirëorganizuar dhe të mbrojtur nga influenca politike, gjë që e bën shumë të vështirë ndjekjen penale dhe demaskimin e plotë të rrjetit. Pagat cash, menaxhimi i fitimeve milionëshe dhe mbrojtja institucionale e bëjnë këtë rrjet mashtrimesh në Tiranë një nga më të mëdhenjtë dhe më të organizuarit në rajon.

Gazetari investigativ Luigi Pelazza, në emisionin Le Iene, ka sjellë një tjetër rast tronditës të mashtrimeve financiare që kanë prekur mijëra persona në Evropë.

Skema funksiononte përmes call center-eve me bazë në Tiranë. Viktimat kontaktoheshin në telefon nga persona që prezantoheshin si brokerë ose konsulentë financiarë. Atyre u propozohej të investonin një shumë të vogël fillestare, zakonisht rreth 250 euro, në platforma të trading-ut online që dukeshin legjitime, por që në realitet ishin plotësisht të manipuluara.

Fitimet e shfaqura në këto platforma ishin të rreme dhe përdoroheshin për të bindur viktimat të dërgonin gjithnjë e më shumë para, duke i futur në një cikël mashtrimi të vazhdueshëm. Kur viktimat përpiqeshin të tërhiqnin paratë, u kërkoheshin taksa të sajuara ose pagesa të tjera shtesë, ndërsa në shumë raste paratë nuk ktheheshin kurrë.

Investigimi i Pelazza tregon se rrjeti kishte një strukturë të ndarë në disa nivele:

Operatorët e telefonatave që kontaktonin viktimat dhe i bindnin të bënin investimin fillestar.

Konsulentët senior që menaxhonin klientët që kishin investuar dhe i bindnin të rrisnin shumën e investimit.

Menaxherët që kontrollonin punën e operatorëve dhe udhëzonin aktivitetin e tyre.

Organizatorët në krye të skemës mbikëqyrnin platformat online, llogaritë financiare dhe portofolët e kriptomonedhave.

Sipas dëshmive, rrjeti mund të ketë përfituar dhjetëra milionë euro në muaj.

Për të kuptuar më mirë mekanizmat e mashtrimit, ekipi i Le Iene arriti të infiltronte një bashkëpunëtor të fshehtë brenda një call center-i, duke dokumentuar mënyrën se si punonjësit trajnoheshin për të manipuluar psikologjikisht viktimat dhe për të përdorur fitime të rreme për t’i bindur të investonin më shumë.

Materiali i filmuar tregoi gjithashtu rolin e menaxherëve që monitoronin telefonatat dhe udhëzonin operatorët se si të silleshin me klientët.

Pas mbledhjes së provave, autoritetet shqiptare ndërhynë me një operacion policor që çoi në arrestimin e tetë personave, mes tyre konsulentë dhe menaxherë të call center-it, si dhe në sekuestrimin e kompjuterëve, serverëve dhe dokumenteve që përmbanin të dhëna mbi viktimat dhe transferimet financiare.

Investigimi evidenton gjithashtu lidhje me kompani të caktuara, përfshirë Flamel, e cila sipas dëshmive mund të ketë ndihmuar në strukturimin e rrjetit ose në identifikimin e viktimave. Dëshmitë e mbledhura ngritin gjithashtu dyshime për mbrojtje ose tolerim nga struktura të larta shtetërore, pasi disa call center kanë funksionuar për një kohë të gjatë pa u mbyllur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco