Tragjike në Itali/ 10-vjeçari shqiptar humb jetën pas një aksidenti teksa luante, qyteti në zi

Tragjike në Itali/ 10-vjeçari shqiptar humb jetën pas një aksidenti teksa luante, qyteti në zi

10:18, 02/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës komunitetin e vogël të Castelluccio dei Sauri, në zonën e Monti Dauni në Itali. Alessio, një fëmijë vetëm 10 vjeç me origjinë shqiptare, humbi jetën pas një aksidenti tragjik në qendër të qytetit, teksa po luante pranë një shatërvani.
Sipas raportimeve nga mediat vendase, 10-vjeçari ka rrëshqitur dhe është përplasur me forcë në murin rrethues të shatërvanit, përgjatë rrugës “Via Roma”. Goditja e fortë dyshohet se i ka shkaktuar arrest kardiak.

Menjëherë është dhënë alarmi në numrin e emergjencës. Në vendngjarje mbërritën disa ambulanca, autoambulanca e specializuar dhe personel shëndetësor, përfshirë ekipin e reanimacionit, të cilët tentuan për më shumë se 45 minuta të rikthenin në jetë të miturin. Fatkeqësisht, çdo përpjekje rezultoi e pasuksesshme dhe vdekja u konstatua pak më vonë.

Në vendin e ngjarjes ndërhynë karabinierët dhe efektivë të Seksionit të Hetimeve Shkencore, të cilët kryen veprimet hetimore dhe nisën verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Trupi i pajetë u dërgua në morgun e Foggias, ku pritet që prokurori të urdhërojë kryerjen e autopsisë për të përcaktuar me saktësi shkaqet e vdekjes.

Humbja e parakohshme e 10-vjeçarit ka shkaktuar dhimbje dhe tronditje të thellë në komunitetin e vogël, ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin. Mbrëmjen e djeshme, rrugët e qytetit u mbushën me banorë të përlotur, miq dhe familjarë që u mblodhën pranë familjes së vogëlushit për t’i qëndruar pranë në këtë moment të vështirë.

Me një deklaratë zyrtare, kryetari i bashkisë, administrata vendore dhe Këshilli Bashkiak i Castelluccio dei Sauri shprehën “ngushëllimet më të thella” për ndarjen tragjike nga jeta të Alessios, duke theksuar se i gjithë komuniteti është pranë prindërve dhe të afërmve me respekt dhe solidaritet.

Në shenjë zie, qyteti ndaloi aktivitetet, ndërsa shumë banorë iu drejtuan lutjes për “engjëllin e vogël që fluturoi në qiell”, siç e quajnë ata 10-vjeçarin që preku zemrat e të gjithëve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco