Bllokimi i zonës “Arrat e Gurres”, pjesë e aksit nacional Librazhd–Prrenjas, ka shkaktuar shqetësim dhe dëme të mëdha ekonomike për drejtuesit e linjave të autobusëve që operojnë në këtë segment.
Prej më shumë se një jave, shoferët shprehen se nuk kanë mundur të ushtrojnë aktivitetin e tyre normal, duke mbetur pa të ardhura, ndonëse kjo është e vetmja mënyrë me të cilën mbajnë familjet.
Sipas tyre, alternativa e vetme për transportin e qytetarëve është t’i lënë pasagjerët në Dragostunjë, me një kosto shtesë prej 50–100 lekësh të reja për qytetarët, por pa asnjë fitim për operatorët.
“Jemi në prag falimentimi”, shprehen drejtuesit e mjeteve, të cilët theksojnë se mungesa e një zgjidhjeje konkrete nga autoritetet po i çon drejt mbylljes së aktivitetit.
Një pjesë e shoferëve detyrohen të përdorin rrugën e vjetër, duke marrë përsipër riskun e dëmtimit të automjeteve. Ata e cilësojnë gjendjen e saj si skandaloze, me kushte që jo vetëm rrezikojnë mjetet, por edhe trembin pasagjerët.
Megjithatë, për ta kjo mbetet zgjidhja e vetme për të mos falimentuar totalisht.
Edhe qytetarët e zonës shprehen të revoltuar dhe të pasigurt për mënyrën se si do të arrijnë në banesat e tyre, veçanërisht në fshatrat e Hotolisht deri në Prrenjas.
Koha e udhëtimit, që më parë zgjaste rreth 10 minuta, tashmë ka shkuar deri në 1 orë e gjysmë. Përveç kohës së humbur, qytetarët theksojnë se janë rënduar ndjeshëm edhe financiarisht, pasi kostoja e udhëtimit ka arritur në 7–10 mijë lekë të vjetra.
Ndikimi i bllokimit nuk është ndjerë vetëm në transportin e pasagjerëve. Tregtarët raportojnë rritje të çmimeve të produkteve bazë të shportës, si pasojë e rritjes së kostos së transportit të mallrave.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe zgjidhje konkrete, ndërsa operatorët e transportit paralajmërojnë se nëse situata vijon, shumë prej tyre do të detyrohen të mbyllin aktivitetin, duke lënë pa shërbim dhjetëra familje në këtë zonë.
© SYRI.net