Jemi në Vlorë, aty ku mes zhurmës së qytetit, detit të trazuar nga moti i keq dhe turistëve që ikin dhe vijnë, ka lindur një problem në dukje i vogël por që ka shqetësuar jo pak banorët e Kodrës mbi Port… Shkaku i telasheve të tyre, është një fqinj, Dëfrim Pasho, i cili akuzohet nga banorët e lagjes, se i kërcënon dhe dhunon. Sipas tyre, Dëfrimi në betejën e tij me banorët, ka futur në sherr dhe fëmijët, të cilët hedhin gurë nëpër rrugë dhe trazojnë kopshtet e lagjes.
Referuar dëshmisë së banorëve të lagjes, Dëfrimi nuk ka kursyer askënd, as policë, as të moshuar dhe as të rinj, të cilët i ka rrahur ose i ka kërcënuar me sëpatë në dorë. Nga shpjegimi që na bëhet nga banorët e lagjes, duket sikur po flitet për një Tarzan të xhunglës që e ka ditën e tij të parë në qytet. Por nuk duam kurrsesi as të nxitohemi, e aq më pak të paragjykojmë një kryefamiljar të dëshpëruar që ka mbi shpatulla gruan dhe 7 fëmijë të keqveshur dhe kequshqyer, prandaj shkojmë ta takojmë vetë, Dëfrimin e tmerrshëm që ia bën jetën të vështirë çdo personi në Kodër.
Rruga për të ngjitur në vendin ku ai ka ngritur kasollen me drurë dhe plasmasë është e pashtruar, me gurë në rrugë, sikur të ishin lënë aty, gati për ndonjë betejë me fqinjët armiq që e urrejnë. Me të ngjitur lart, përballemi me njërin nga djemtë më të rritur, i cili pavarësisht se ishte një orar ku duhej të ishte në shkollë, qëndronte në shtëpi, duke u kujdesur për vëllain më të vogël.
Banesa e improvizuar ku janë sistemuar 9 anëtarët e familjes, është jashtë çdo standardi njerëzor, pa dyer e dritare, pa tualet, pa ujë të ngrohtë, pa asnjë orendi apo elektroshtëpiake, pa ushqime dhe veshmbathje për të vegjlit që jetonin aty mes skamjes. Ndërsa ne po bisedonim me djalin, Dëfrimi kthehet në atë ambient që duhet të guxojmë ta quajmë banesë. Pamja e tij vërtetë nuk është aq miqësore...
Por sidoqoftë jo ai personazhi i tmerrshëm i sopatës dhe i gurëve për të cilin na kishte folur fqinji… Ndaj ky detaj na jep kurajo për të folur. Në fillim, Dëfrimi shprehet se të gjitha akuzat e bëra nga fqinjët e tij janë gënjeshtra dhe manipulime, pasi ai nuk ka problem me askënd. Por këtu nis të bëhet lëmsh, pasi përballet me dëshmitë e fqinjëve, të cilët duhet thënë se pavarësisht se ne ishim aty, asnjë nuk guxonte t’i dilte përballë, por vetëm në telefon, prandaj duhet thënë se deri më tani, Dëfrimi e ka fituar betejën e tij me fqinjët.
Në përballje me Dëfrimin, vjen dhe motoristi, që shpërndante porositë, i cili dëshmon se Dëfrimi e ka rrahur, vetëm pse ka dërguar ushqimin. Ndërkohë që tmerri që kanë banorët e Kodrës mbi Port nga prania e Dëfrimit, shprehet në çdo dëshmi të tyre. Por, mirë banorët, mirë edhe ne që ishim aty vetëm për pak minuta. Po shteti? Ku është shteti në këtë përballje që në ditët e tjera, pa praninë e kamerës, nuk është kaq e paqtë sa ishte sot.
Prandaj, telefonuam SPZ-në e zonës, Felek Bletën, por ky i fundit na mbylli telefonin me pretendimin se ka punë të tjera. A ka punë më të rëndësishme për një efektiv se sa mbrojtja e qytetarëve? Për një efektiv që i shërben Policisë jo, por tek Feleku ndryshon puna, pasi siç tha është i zënë. Prandaj telefonuam sallën operative të Policisë së Vlorës, e cila dërgoi menjëherë një patrullë. Ndërsa më vonë na erdhën dhe detajet e para, motori i Dëfrimit pa asnjë letër shoqëruese, është sekuestruar dhe dyshohet të jetë i vjedhur. Gjithashtu kanë nisur hetimet, për akuzat që banorët e lagjes kanë bërë ndaj fqinjit të frikshëm…
Ndërkohë, puna jonë nuk mbaron këtu. Pavarësisht agresivitetit që tregon, ky zotëri ka 7 fëmijë për të ushqyer, për të veshur dhe për të shkolluar. Por mbi të gjitha për t’u siguruar një strehë dinjitoze... Larg asaj aktuale me drurë dhe plastmasa në mes të asgjësë. Ndaj thirrja jonë është për Bashkinë e Vlorës dhe Shërbimet për Mbrojtjen e Fëmijëve, është që të bëhemi të gjithë së bashku e të ndihmojmë këtë familje e cila duhet të hiqet nga ajo skamje, dhe të nisë sa më shpejt një jetë dinjitoze... Me ose pa kryefamiljarin e saj problematik./Piranjat
© SYRI.net