Detaje të tjera dalin nga ngjarja e ndodhur këtë të martë në Tiranë, ku një i mitur u aksidentua për vdekje. Ngjarja ndodhi në rrugën “Kastriotët”, ndërsa 7-vjeçari u përplas nga dy automjete.
Sipas informacioneve, mësohet se fillimisht i mituri është goditur nga automjeti që drejtohej nga Tomorr Shukulli (55 vjeç). Më pas, ai është përplasur edhe nga një automjet i dytë që drejtohej nga Valentina Koltraku (42 vjeç).
Disa orë pas ngjarjes së rëndë, Policia ka bërë arrestimin e të dy drejtuesve të mjeteve.
I mituri u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marrë dhe humbi jetën.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e aksidentit të ndodhur mesditën e sotme, në rrugën “Kastriotët”, me pasojë vdekjen e një të mituri.
Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident.
Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.
Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.
Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.
Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net