Prokuroria e Elbasanit ka nisur procedim penal për shembjen e rrugës në zonën e njohur si Arrat e Gurrës në aksin kombëtar, Librazhd–Pogradec që prej ditësh ka izoluar juglindjen me pjesën tjetër të vendit .
Prej të dielës, 22 shkurt, një grup hetimor po mbledh dosjet dhe shkresat zyrtare në zyrat e ARRSH-së për projektin dhe ndërtimin e këtij aksi për të zbuluar shkaqet dhe përgjegjësit e shembjes së saj
Prokuroria ka regjistruar procedim penal për “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.
Prej 21 shkurtit është bllokuar qarkullimi për të gjitha mjetet në këtë segment rrugor ku në zonën e njohur si Arrat e Gurrës vijon të jetë e theksuar rrëshqitja e tokës.
Ura kryesore dhe bypass-i provizor i ndërtuar ditët e fundit janë shembur plotësisht, duke izoluar banorët e zonës për pesë ditë me radhë.
E vetmja rrugë alternative është Moglicë-Gramsh por që e shton udhëtimin me 2–3 orë, ndërsa rruga e vjetër Egnatia është pothuajse e shkatërruar, e ngushtë dhe e rrezikshme, por shumë banorë e përdorin si zgjidhje emergjente.
© SYRI.net