Nga SYRI TV
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliaj për pavlefshmërinë e akteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës pretendonte se hetimet e Prokurorisë së Posaçme ishin kryer në shkelje të ligjit.
Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për pavlefshmërinë e akteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Vendimi është marrë këtë të enjte nga Kolegji Penal, i cili ka vendosur mospranimin e rekursit. Veliaj, i akuzuar për të paktën 9 episode korrupsioni, si edhe për pastrim parash e fshehje pasurie, së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si edhe disa biznesmenë, kërkoi më herët shpalljen e pavlefshme të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, duke pretenduar se ato ishin kryer në shkelje të ligjit. Gjykata e Posaçme e shkallës së parë dhe ajo e Apelit i rrëzuan këto kërkesa të Veliajt gjatë muajve shtator–tetor të vitit 2025.
Tashmë, edhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët Albana Boksi, Sokol Binaj dhe Genti Shala, i konfirmuan si të sakta veprimet e Prokurorisë. Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025, i akuzuar se ka krijuar një skemë korruptive për kalimin e fondeve të Bashkisë së Tiranës në një rrjet organizatash joqeveritare, të menaxhuara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet në korrik të vitit të kaluar.
Më 9 shkurt të këtij viti, gjyqtari paraprak vendosi kalimin e çështjes për gjykim, pasi një seri seancash dështuan për shkak të kërkesave të përsëritura dhe mungesës periodike të avokatëve të Veliajt. Erion Veliaj është formalisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi më herët një procedurë të dyshimtë të ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama për shkarkimin e tij nga detyra.
© SYRI.net