Një shtetas shqiptar, i deportuar më parë për akuzat e trafikut të drogës, është rikthyer fshehurazi në Britani disa muaj më vonë dhe ka ngritur një fermë kanabisi me vlerë deri në 200,000 paund.
Redis Shahini, 22 vjeç, kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar me një varkë të vogël në 2023 dhe kishte aplikuar për azil. Pas refuzimit të kërkesës, ai filloi të kultivonte drogë.
Policia e Nottinghamshire ka bastisur një fermë kanabisi që Shahini po drejtonte në Manesty Crescent, zonën Clifton të Nottinghamit. Pamjet nga bodycam tregojnë momentin kur Shahini tentoi të ikte duke kapërcyer kopshtet përreth, por u rrëzua në tokë nga oficerët.
Gjatë bastisjes u sekuestruan 263 bimë kanabisi, të shpërndara në tre kate të pronës gjysmë të bashkuar, me një vlerë tregu që arrinte deri në 200,000 £. Shahini, i pastrehë, pranoi fajësinë për prodhimin e një droge të klasit B dhe për hyrjen e vetëdijshme në Mbretërinë e Bashkuar në shkelje të urdhrit të deportimit.
Ai u dënua me 22 muaj burg dhe do të rekomandohet për deportim pas përfundimit të dënimit.

PC Jane Gibson nga Policia e Nottinghamshire tha: “Ky rast tregon përpjekjet tona për të ndërtuar besim dhe lidhje të forta me komunitetin. Fermat e tilla kanabisi mund të jenë të rrezikshme, jo vetëm për shkak të krimit, por edhe si burim zjarresh dhe grabitjesh të mundshme. Shahini tentoi të largohej, por oficerët vepruan me vendosmëri.”
Shahini ishte deportuar më parë në 2024, pas shërbimit të gjysmës së një dënimi 12-mujor për kultivim kanabisi. Gjyqtari theksoi se largimi i tij nga Shqipëria lidhej me një “mosmarrëveshje gjaku” dhe përfshirja në trafikun e drogës ishte “krejtësisht jashtë karakterit të tij”.
© SYRI.net