SPAK ka dhënë pretencat në kuadër të dosjes së njohur si “5D”, duke kërkuar dënime me burg për tre të pandehurit kryesorë të çështjes, por dhe personat e tjerë të përfshirë. Konkretisht SPAK, ka kërkuar 11 vite burg për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës Redi Molla, 9 vite burg për ish-drejtorin e IMT-së, Mariglen Qato dhe 4 vite për Taulant Tushen. Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanËeb se për Mollën, Qaton dhe Tushen kanë edhe dënim plotësues, 5 vjet heqje të drejtës për ushtrim të funksioneve publike
Sipas pretencës së paraqitur në seancë, organi i akuzës ka kërkuar:
-11 vite burg për Redi Molla
-9 vite burg për Mariglen Qato
-4 vite burg për Taulant Tusha
-3 vite burg për Enton Punavija
-3 vite burg për Julian Zanaj
-2 vite burg për Albano Janku
-7 vite burg për Nestor Muhametllari
Dosja “5D” lidhet me akuza për shkelje të ligjit në procedura publike dhe dyshime për korrupsion, ndërsa mbrojtja e të pandehurve ka kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara.
I vetmi që ndodhet në burg nga emrat e mësipërm është Mariglen Qato. Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Redi Molla dhe Mariglen Qato thotë SPAK, kanë qenë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k, duke përdorur pronarë fiktivë, ndërsa vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim kanë marrë 12 tendera duke përfituar rreth 2 milionë euro në periudhën 2016-2020.
Më herët, Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor duke dënuar katër prej të pandehurve që u gjykuan në proces të ndarë për dosjen “5D”, por që nuk do të bëjnë asnjë ditë burg. Drejtoresha e klubit shumësportësh, Deborah Keçi, me tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi u dënuan me shërbim prove për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Sipas SPAK, ata krijuan kushte dhe privilegjuan kompaninë “5D” të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës në mënyrë që të shpallej fituese në procedura tenderash.
© SYRI.net