Lokali në Foligno u ble me paratë e drogës, restauratori: I paguan të gjitha ata

Lokali në Foligno u ble me paratë e drogës, restauratori: I paguan të gjitha ata

19:44, 13/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bashkëshortja e të dyshuarit si drejtues i një organizate kriminale shqiptare, ka mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje para gjyqtares së hetimeve paraprake, Margherita Amodeo.

Gjatë seancës së verifikimit të masës së sigurisë, ajo ka deklaruar se nuk ishte ‘arkëtarja e klanit’, siç pretendon prokuroria, por thjesht mbante shpesh paratë e aktiviteteve të restoranteve në Foligno. Sipas organit të akuzës, këto biznese përdoreshin si mbulesë për aktivitetet e paligjshme të grupit.

Edhe gruaja tjetër e arrestuar, partnere e njërit prej korrierëve të dyshuar, ka mohuar dijeninë për aktivitetet e paligjshme të bashkëjetuesit të saj.

Të tre, të mbrojtur nga avokatja Daniela Paccoi, akuzohen për ‘asociacion kriminal’ së bashku me shtetas të tjerë shqiptarë dhe me restoratorin e Folignos, Gianpaolo Coresi, i arrestuar vitin e kaluar me 65 kilogramë kokainë.

Sipas hetimeve të drejtuara nga prokurori i DDA-së së Perugias, Gennaro Iannarone, Coresi dyshohet se ka hapur një lokal të dytë me paratë e përfituara nga trafiku i drogës.

Në përgjimet e realizuara nga Guardia di Finanza, restauratori i thoshte bashkëshortes së tij, gjithashtu nën hetim në gjendje të lirë:

‘I paguan të gjitha ata’, duke iu referuar blerjes së lokalit për ‘15 mijë euro, një çmim qesharak’, ku më pas do të hapej një Lounge.

Nga hetimet ka dalë në pah se brenda grupit nuk kishte gjithmonë qetësi. Në një moment shpërthen një konflikt për zhdukjen e një shume prej 10 deri në 15 mijë eurosh. Anëtarët akuzojnë njëri-tjetrin, ndërsa situata përshkallëzohet deri në kërcënime serioze.

Në një bisedë të përgjuar në ambientet e burgut të Capanne, Coresi i rrëfente bashkëshortes:

 ‘Nuk e kupton çfarë kam kaluar. Më kanë sakrifikuar. Një ditë më vuri pistoletën në kokë, mendonte se i kisha vjedhur 15 ditë xhiro.’

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolet e të përfshirëve dhe origjinën e fondeve të përdorura për aktivitetet tregtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco