Kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës dënohet përfundimisht me 1 vit burg si dhe i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.
Pas rreth një viti zvarritjeje vendimi u dha sot nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare). Apeli i GJKO-së la në fuqi vendimin e 24 janarit të vitit 2025 të Gjykatës së Posaçme.
"Deklarimin fajtor të të pandehurit E.M. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
2. Dënimi të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit penal dhe të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
3. Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin E.M. për një periudhë 5 (pesë) vjeçare" thuhet në vendim.
Ky është vendim përfundimtar dhe Prokurori Edvin Kondili pritet të trokasë në derën e Memollës për të ekzekutuar vendimin, çka do të thotë ta çojë në burg për të vuajtur dënimin.
Audiopergjimi
Hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës nisën pasi në Syri Tv publikoi një audio përgjim ku Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, dëgjohet duke ndikuar tek një punonjës i OSHEE, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor. Prokuroria e Posaçme tha se gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 Mars 2022.
Vetë Memolla nuk ishte prezent sot në seancë por u prezantua nga avokati i tij.
Sot Apeli la në fuqi vendimin edhe për Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku, që u dënuan përkatësisht me 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove. Pjesë e kësaj dosje ishte Ndriçim Tafxhafa që u dënua me 1 vit burg gjithashtu për korrupsion aktiv në zgjedhje.
© SYRI.net