'1 milion euro skemë korruptive, kalon për gjykim dosja e Erion Veliajt, ish deputetes PS Bushka dhe të tjerë

12:28, 09/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kalon për gjykim dosja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Gjyqtarja e GJKKO-së, Etleva Deda vendosi sot të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, biznesmenit, Elman Abule, ish-deputetes socialiste, Klotilda Bushka dhe 26 të padehurve të tjerë përfshirë pronarë kompanish ndërtimi dhe bashkëpunëtorë të çiftit të parë të kryeqytetit, dhe kompani. Vendimi erdhi pas disa herë zvarritjeje të seanca paraprake, ku Veliaj dhe Xoxa për shkak të kërkesave të tyre dhe rrethanave proceduriale nuk bënë parashtrime për të kundërshtuar akuzat, informon gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj.

Erion Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.

Veliaj akuzohet për 5 vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre, mosdeklarim dhe fshehje pasurie, pastrim parash dhe futje e sendeve të palejuara në burg.

Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë kur u mor vendimi, ndërsa ndodhet i arrestuar në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, ndërsa kërkesat e njëpasnjëshme të Erion Veliajt për të dalë nga qelia u rrëzuan nga gjykatat e të gjitha niveleve.

Ndërkohë, më 26 janar, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosi kalimin për shqyrtim në seancë plenare të ankesës së Veliajt ndaj vendimmarrjes së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për masën e sigurimit personal “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij më 9 shkurt të vitit të kaluar, si dhe ndaj tre vendimeve pasuese deri në Gjykatën e Lartë, që e lanë në fuqi. Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, çështja do të shqyrtohet mbi bazë dokumentesh.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 3 nëntor 2026 vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke e gjetur atë të papajtueshëm me Kushtetutën.

Mes të pandehurve janë edhe një numër biznesmenësh si Shkëlqim Fusha, Elman Abule, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu, etj, si dhe ish-ligjvënësja socialiste Klotilda Bushka, nën akuzë për pengim të drejtësisë për të zbuluar të vërtetën.

Për mbrojtjen e tij, Erion Veliaj i shtoi grupit të avokatëve të tij edhe studion “Mishcon de Reya LLP” – një firmë ligjore britanike me zyra në Londër dhe Singapor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco