Familja Kola do të prehet në atdhe! Brenda dy ditësh mblidhen 75 mijë euro për sjelljen e 4 trupave

Familja Kola do të prehet në atdhe! Brenda dy ditësh mblidhen 75 mijë euro për sjelljen e 4 trupave

10:10, 09/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ngjarja e rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Itali ka prekur thellë opinionin publik. Brenda vetëm dy ditësh, mbi 75 mijë euro janë mbledhur në platformën “GoFundMe” për familjen Kola, e cila humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e së mërkurës, më 4 shkurt 2026 në Porcari, në provincën e Luccas, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.

Fushata e ndihmës është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i 48-vjeçarit Arti Kola, një prej viktimave të kësaj tragjedie. Fondet e mbledhura do të përdoren për të përballuar shpenzimet e funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore. Sipas organizatorëve, çdo shumë e mbetur do të shkojë në ndihmë të familjarëve të viktimave për të përballuar këtë moment të vështirë.

Tragjedia i mori jetën Arti Kolës, bashkëshortes së tij Jonida, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijëve të tyre, Hadjarit, 22 vjeç, dhe Xhesikës, 15 vjeçe. Sipas autoriteteve italiane, shkaku i vdekjes dyshohet të jetë helmimi nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesën ku jetonte familja.

Dhjetëra qytetarë kanë shprehur solidaritetin e tyre përmes donacioneve që variojnë nga 50 deri në 500 euro, duke dëshmuar mbështetje të gjerë dhe ndjeshmëri për humbjen e rëndë.

Ndërkohë, Prokuroria e Luccas ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Sipas burimeve paraprake, kaldaja dyshohet të ketë qenë e re dhe e instaluar nga vetë pronari i banesës. Autoritetet janë në pritje të rezultateve të analizave toksikologjike për katër viktimat, të cilat pritet të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve.

Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat e pajetë do të transportohen drejt Shqipërisë për t’u përcjellë në banesën e fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco