Pesë shtetas shqiptarë janë dënuar me burg për përfshirje në furnizim me drogë të Klasit A në Cumbria Jugore, një zonë në veriperëndim të Anglisë, pranë kufirit me Skocinë.
Katër prej tyre u dënuan në Gjykatën e Kurorës në Preston për posedim me qëllim furnizimin me drogë të Klasit A:
• Erald Sulaj, 22 vjeç, nga Dacre Gardens, Boreham Wood – 33 muaj burg
• Ergys Elezi, 22 vjeç, pa adresë fikse – 30 muaj burg
• Sokratis Lleshaj, 21 vjeç, nga Rawlinson Street, Barrow – 24 muaj burg
• Perlat Hamza, 36 vjeç, nga Rawlinson Street, Barrow – 32 muaj burg
Një i pestë, Egzon Doci, 31 vjeç, nga Roxeth Hill, Harrow, ishte dënuar më herët me dy vjet e tre muaj burg pasi pranoi posedimin me qëllim furnizimin me kokainë. Ai është deportuar në Shqipëri pas përfundimit të dënimit.
Si nisën arrestimet
Më 14 mars, oficerët e policisë ndodheshin në zonën e Storey Square në Barrow-in-Furness, kur vunë re dy burra që vepronin në mënyrë të dyshimtë. Kur iu afruan automjetit, Egzon Doci u përpoq të arratisej në këmbë, duke kapërcyer gardhe.
Gjatë ndjekjes, një dëshmitar pa Docin duke hedhur një send mbi një çati. Policia gjeti një çorape që përmbante mbështjellëse me kokainë.
Kontrolli në banesën e tij në Rawlinson Street çoi në sekuestrimin e më shumë kokainës, rreth 1,000 paund para të gatshme dhe qese plastike për paketim.
Arrestime të tjera
Më 1 maj 2025, policia ndaloi një Peugeot 208 në Devonshire Road në Barrow për drejtim të dyshimtë. Shoferi, Sokratis Lleshaj, rezultoi pozitiv për kokainë dhe kanabis dhe iu gjetën qese me kokainë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet Perlat Hamza. Në apartament u sekuestruan 34 qese të vulosura me kokainë, përfshirë 16 të fshehura në një çorape nën dyshek, si dhe para të gatshme.
Hetimi në nivel kombëtar
Më 21 korrik 2025, Erald Sulaj dhe Ergys Elezi u ndaluan në autostradën M1 në Northamptonshire, të dyshuar si pjesë e rrjetit të furnizimit me drogë në Cumbrian Jugore.
Një kontroll në një adresë të lidhur me ta në Kingston-upon-Thames, Londër, zbuloi rreth 3 ons kokainë me vlerë deri në 9,000 paund dhe mbi 20,000 paund para të gatshme. U gjetën gjithashtu dokumente identifikimi dhe shënime që lidhnin të pandehurit me njëri-tjetrin.
© SYRI.net