Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Fierit, e cila dënoi me 25 vite burg shtetasin Laert Hasalla, 34 vjeç, banues në fshatin Garunjas, Lushnjë, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë.
34-vjeçari ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi dyshohej se kishte porositur vrasjen e shtetasit M. H., ngjarje e ndodhur në vitin 2023, për motive gjakmarrjeje.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Laert Hasalla kishte paguar shtetasin M. M., 31 vjeç, i cili aktualisht ndodhet i dënuar, për të kryer vrasjen. Ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me qëllim eliminimin e shtetasit M. H.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, mbeti e plagosur shtetasja B. S., e cila ndodhej në të njëjtin automjet me shtetasin M. H.
Pas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Fierit, u bë ekzekutimi i dënimit me 25 vite burg ndaj shtetasit Laert Hasalla, për veprime të mëtejshme ligjore.
© SYRI.net