Prej 20 ditësh katër familje të fisit Hysenaj në Kukës, janë të izoluara për shkak të bllokimit të rrugës nga rrëshqitjet e dheut. Rrëshqitjet kanë dëmtuar edhe banesa dhe stallat e bagëtive, ndërsa shkak dyshohet se është pikërisht devijimi i rrjedhës së ujit nga një hidrocentral privat. Familjet e izoluara i vizitoi kreu i Pd në Kukës Rrahman Demaj, i cili deklaroi se familjes Hysenaj do t`i vërë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të ndjekur penalisht përgjegjësit e katastrofës.
Syri tv
Prej më shumë se 20 ditësh, familjet e fisit Hysenaj ndodhen të bllokuara dhe të lëna në mëshirë të fatit, si pasojë e gjendjes së rënduar të rrugës Kukës–Borje. Kjo rrugë, e cila prej kohësh nuk ka marrë asnjë ndërhyrje serioze nga institucionet përgjegjëse, është dëmtuar rëndë nga reshjet, rrëshqitjet e dherave dhe prurjet e ujit, duke e bërë thuajse të pakalueshme.
Katër familje të fisit Hysenaj jetojnë sot nën kërcënimin e vazhdueshëm të rrëshqitjes së faqes së malit. Balta dhe dherat kanë mbuluar rrugën që të çon drejt banesave të tyre, ndërsa një sasi e madhe dheu ka rënë mbi njërën prej shtëpive, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve. Sipas banorëve, shkaku kryesor i rrëshqitjes së faqes së malit lidhet me devijimet dhe tubacionet e ujit nga një hidrocentral privat që operon në zonë, i cili dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në destabilizimin e terrenit.
I vetmi zë që është përgjigjur publikisht dy herë radhazi për këtë situatë është kryetari i Partisë Demokratike, dega Kukës, Rraman Demaj. Ai ka denoncuar hapur kompaninë e hidrocentralit privat, duke theksuar se kjo kompani nuk ka përmbushur detyrimet e kontratës së nënshkruar që në vitin 2015 me familjet e prekura.
Po ashtu, Demaj ka akuzuar institucionet për neglizhencë dhe indiferencë, duke i lënë këto familje të përballen të vetme me pasojat e kësaj fatkeqësie ndërsa një mesazh edhe për deputetin e PS, Eduart Shalsi.
Ndërkohë, familjet e fisit Hysenaj vazhdojnë të jetojnë mes frikës, pasigurisë dhe izolimit, duke kërkuar vetëm vëmendje, ndërhyrje urgjente dhe një zgjidhje të drejtë nga institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë.
© SYRI.net