Trafikonte emigrantë të paligjshëm kundrejt 2500 euro secili, arrestohet në Tiranë 41-vjeçari

12:33, 02/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një shtetas maqedonas është arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi u kap duke transportuar emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht drejt shteteve të Bashkimit Europian.

Operacioni u finalizua si rezultat i një hetimi të zhvilluar me metoda speciale, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, me qëllim goditjen e rasteve të transportimit të paligjshëm të emigrantëve kundrejt pagesave. Aksioni policor u kodua “Relay 5” dhe u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi maqedonas J. N., 41 vjeç, i cili u kap në aksin rrugor “Kashar–Thumanë”, teksa transportonte 2 emigrantë. Po ashtu, u shpall në kërkim shtetasi M. A., 33 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si organizatori i këtij rasti.

Sipas hetimeve, 33-vjeçari dyshohet se iu ka marrë secilit prej emigrantëve nga 2500 euro, me premtimin se do t’i transportonte ilegalisht drejt Italisë.

Gjatë operacionit u sekuestruan automjeti me të cilin kryhej transporti, 2 aparate celularë dhe një shumë parash. Policia po punon për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë vijon hetimi për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco