46-vjeçari i identifikuar si Gjergj Goli i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”, është arrestuar nga policia e Vau i Dejës për kultivim dhe prodhim të bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit në dy ambiente të banesës së tij në fshatin Barbullush, u sekuestruan 583 bimë kanabis, rreth 7.5 kg kanabis dhe 307 pajisje elektrike për kultivim.
Gjykata e Shkallës së Parë të Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa hetimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë vazhdojnë.
Njoftimi i policisë:
Vau i Dejës/Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.
Akuzohet si bashkëpuntor për përshtatjen e 2 ambienteve (banesa) për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba, në fshatin Barbullush, vihet në pranga 46-vjeçari.
Nga këto 2 ambiente, disa javë më parë, u sekuestruan 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kg kanabis dhe 307 pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës ndaluan shtetasin Gjergj Goli, 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të kryera në bashkëpunim.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net