Mbeti i plagosur me armë: 30-vjeçari nuk ishte objektivi i atentatorëve…

Mbeti i plagosur me armë: 30-vjeçari nuk ishte objektivi i atentatorëve…

08:22, 02/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Të tjera detaje mësohen lidhur me atentatin që tronditi mbrëmjen e së dielës, 1 shkurt, Lezhën, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci.

Burime nga grupi hetimor nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se 30-vjeçari nuk ka qenë shënjestra e atentatit. Mendohet se shënjestër ishte një nga katër personat e tjerë që ndodheshin brenda biznesit të tij në momentin kur ndodhi ngjarja.

LEXO EDHE: Plagosja e Sokol Dacit në Lezhë, detaje të reja nga hetimet: Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe një polic...

Dyshohet se kanë qenë tre persona të cilët kanë mbërritur në fshatin Rrilë të Lezhës me një mjet tip “Audi”, dhe pasi janë ulur nga makina, kanë qëlluar në drejtim të berberhanes, duke lënë të plagosur Sokol Dacin, i cili ka marrë tre plumba, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.

Brenda biznesit dyshohet të kenë qenë edhe katër persona të tjerë të cilët, sipas grupit hetimor, janë kundërpërgjigjur me armë zjarri.

Fatmirësisht, i riu ndodhet në gjendje të stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën. Biznesi nuk ka patur kamera sigurie, por po këqyren bizneset e tjera që mund të kenë kamera sigurie dhe ta kenë regjistruar këtë moment.

NGJARJA

Plagosja ndodhi mbrëmjen e 1 shkurtit në qendër të fshatit Rrilë, në Lezhë. Policia, e cila shkoi në vendin e ngjarjes disa minuta pasi mbi dyqan ishte lëshuar breshëria e plumbave, bëri me dije se i plagosur mbeti Sokol Daci 30 vjeç, i cili në atë moment ka qenë brenda ambienteve të berberhanes. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se atentatorët kanë qëlluar me breshëri, pasi fasada e dyqanit duke e bërë shoshë.

NJOFTIMI I POLICISË

Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. 

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco