Një plagosje ka ndodhur mbrëmjen e stme në Lezhë, në zonën e njohur si Kthesa e Rrilës.
Syri tv ka siguruar pamje nga vendngjarja, ku shihet fasada e një biznesi e “bërë shoshë” nga plumbat.
Nga vrimat në xhama kuptohet se aty është qëlluar me breshëri plumbash.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.
I plagosur nga të shtënat me armë ka mbetur 30-vjeçari Sokol Daci. Burime zyrtare bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën mjekësore në spital.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
© SYRI.net