Prej orëve të paradites të së dielës e gjithë juglindja, si dhe akset që lidhin vendin me pikat kufitare të Kapshticës dhe Qafë-Thanës janë të bllokuara. Një masiv shkëmbor ka rënë në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, duke krijuar radhë kilometrike dhe pamundësi të qarkullimit. Situata është jashtë kontrollit, pasi edhe me ndërhyrjen e kompanisë që paguhet për mirëmbajtjen e këtij aksi, rikthimi i lëvizjes duket i pamundur deri në këto çaste. Rënia e masivit të gurëve rrezikon edhe jetën e qytetarëve, ndërsa policia ka bërë thirrje për shmangien e qarkullimit nga Aksi Elbasan-Përrenjas.
Syri tv
Juglindja është e bllokuar prej mëngjesit të së dielës, nga pjesa tjetër e territorit të vendit, pasi aksi i vetëm nacional Elbasan-Pogradec është bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të një masivi dheu në fshatin Dragostunjë të Librazhdit. Edhe pse ky aks duhet të mirëmbahet periodikisht nga një kompani e kontraktuar nga ARRSH, duket se situata mëngjesin e sotëm ka dal jashtë kontrollit, kur masivi shkëmbor ka bllokuar rrugën.
Rrëshqitja e rrugës ka shkaktuar trafik kilometrik ku qindra automjeteve vijojnë të jenë të bllokuar, në pritje të hapjes së rrugës. Drejtuesit mjeteve, femijë dhe të moshuar për orë të tëra janë të ngujuar në automjetet e tyre. Të revoltuar qytetarë thonë se janë të sëmurë dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet ndë fajësojnë shtetin për këtë situatën.
Mes automjeteve të bllokuar ka qenë dhe një autoambulance, duke bërë që pacientja të kalohet përmes lumit me barrelë për në spital. Ndërkohe disa drejtues qe rrezikuan nga rrëshqitja e gurëve tregojnë detaje nga ngjarja.
Pak pas rrëshqitjes së dherave, mjetet nisën punimin për zhbllokimin e aksit, por për shkak të vijimit të rrëshqitjeve situata u bë e rrezikshme dhe puna për hapjen e rrugës u ndërpre.
Në pamundësi për hapjen e rrugës, Policia bëri apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të shmangin qarkullimin në këtë aks, ndërsa qindra mjete dhe qytetarë, në tentativë për të kaluar për të shkuar në banesat e tyre, presin në të ftohtë hapjen e rrugës.
© SYRI.net