VIDEO/ Dogji dyqanin dhe një gomisteri në Mirditë, arrestohet 52-vjeçari

12:16, 01/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Mirditës ka arrestuar një 52-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrvënies së qëllimshme në një dyqan me materiale të përdorura dhe tentativës për djegien e një gomisterie. Ngjarja u regjistrua pas njoftimit se kishte rënë zjarr në një dyqan me materiale të përdorura, në pronësi të shtetasit Gj. D., si dhe se ishin djegur disa goma në gomisterinë e shtetasit A. P., me qëllim përhapjen e flakëve në të gjithë ambientin. Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të dy rasteve.

Nga veprimet hetimore në vendngjarje, u krijua dyshimi i arsyeshëm se të dy ngjarjet ishin zjarrvënie të qëllimshme. Në bashkëpunim me Prokurorinë u organizua dhe u finalizua operacioni policor “Fast”.

Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe profesional të strukturave të Policisë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Luan Vuka, alias Artan Vuka, 52 vjeç, banues në fshatin Ndërfushaz, Mirditë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Nga verifikimet rezulton se 52-vjeçari është person me precedent kriminal të mëparshëm, i dënuar më herët për dhunë në familje, goditje për shkak të detyrës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim prone, mbajtje pa leje të armëve të ftohta, si dhe për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të dy rasteve të zjarrvënies. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco